Avionë dhe helikopterë nga vendet e Ballkanit ndihmojnë në shuarjen e zjarreve

Maqedonia e Veriut | 2 vite më parë

Avionë dhe helikopterë nga vendet e Ballkanit dhe Turqia kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut për të ndihmuar zjarrfikësit, të cilët kanë disa ditë që po luftojnë një seri zjarresh në pyje.

”Mjetet e dërguara nga Kroacia, Serbia, Sllovenia dhe Turqia, u vendosën nga shërbimet e urgjencës për të ndihmuar në luftimin e zjarreve”, sipas një deklarate nga Komisioni Evropian.

“BE është e bashkuar në mbështetjen e saj. Përgjigjja jonë e shpejtë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së është thelbësore për të mbështetur përpjekjet lokale kundër këtyre zjarreve shkatërruese”, theksoi komisioneri evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic.

Qindra hektarë pyje u dogjën javën e kaluar në disa rajone të Maqedonisë së Veriut.

Deri të martën në mëngjes, autoritetet kishin identifikuar 12 zjarre aktive në pyje në vend.

Më i madhi ndodhet afër qytetit të Negotinës (në qendër), ndërsa një tjetër ka avancuar drejt qytetit të Manastirit (në jug).

Në mbledhjen urgjente të qeverisë të mbajtur gjatë fundjavës, është shpallur një situatë krize për shkak të “shtimit të numrit të zjarreve në pyje”.

Kjo masë lejon që të angazhohen më shumë burime shtetërore për t’iu përgjigjur situatave me rrezik më të madh për pronën, shëndetin dhe jetën e njerëzve dhe kafshëve.

Qeveria ka vendosur gjithashtu t’i bëjë thirrje policisë dhe ushtrisë për të luftuar zjarret dhe për të rritur nivelin e përgatitjes së personelit mjekësor në të gjithë vendin.

Vala e të nxehtit ka përfshirë rajonin e Ballkanit që prej javës së kaluar dhe pritet të zgjasë edhe disa ditë të tjera.

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme