Zbatimi i marrëveshjes së Prespës, Mickoski: Shkupi e respekton dhe kërkon të njëjtën gjë edhe nga Athina

Maqedonia e Veriut | 2 vite më parë

Mandatari për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski tha se qeveria që ai do të udhëheq do të respektojë në tërësi marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë atë me Greqinë për ndërrimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut.

“Marrëveshja është marrëveshje e arritur ndërmjet të paktën dy palëve, dhe të dyja palët duhet ta respektojnë atë. Nëse konkretisht e keni fjalën për Marrëveshjen e Prespës, ne si qeveri e ardhshme e respektojmë deri në detaje, gjithçka që është pjesë e legjislacionit tonë, në Kushtetutë, respektohet në detaje dhe këtu nuk duhet të ketë dilema”, tha ai.

Mickoski shtoi se edhe pala greke duhet të respektojë detyrimet e saj që dalin nga kjo marrëveshje e që kanë të bëjnë me mospengimin e procesit të integrimit euroatlantik dhe në institucionet tjera ndërkombëtare, mospërdorimin e termit “Shkupi” për Maqedoninë e Veriut, zëvendësimin e tabelave udhëzuese në territorin grek, e çështje tjera.

“Në të njëjtën kohë pres që edhe nënshkruesi i dytë, që është fqinji ynë jugor, t’i respektojë. Ne kemi krijuar një dokument se sa është zbatuar nga ana jonë dhe sa është zbatuar nga pala greke dhe planifikojmë t’i prezantojmë të gjithë ata që janë kureshtarë të dinë se sa e respektojnë të dyja palët marrëveshjen bilaterale ndërkombëtare”, përfundoi Mickoski.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme