Hristijan Mickoski mandatohet për formimin e qeverisë: Do marrim më shumë se 80 vota

Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, mandatoi të enjten kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit, për formimin e qeverisë së re.
Duke iu referuar rezultatit të zgjedhjeve dhe formatimit të parlamentit të ardhshëm, kryetarja e shtetit shprehu bindjen se mandati për Mickoskin do të konfirmohet nga shumica.
“Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka mundësi serioze që të formojë qeverinë, gjegjësisht të grumbullojë 61 vota për programin dhe përbërjen e qeverisë së re, e cila duhet prezantuar në afat prej 20 ditësh,” tha Siljanovska-Davkova.
Ndërsa sipas kryetarit Mickoski, negociatat për qeverinë tashmë kanë përfunduar në pjesën e formimit të dikastereve qeveritare.
“Së shpejti do të formohet një qeveri e re, reformiste, që si qëllim themelor do të ketë avancimin e proceseve. Le të mos e zhysim shtetin dhe shoqërinë në pellgun e politikës, por ta zhvillojmë vendin tonë, t’i bëjmë qytetarët të ndihen mirë, të ruajmë ekonominë me investime të fuqishme,” deklaroi Mickoski.
VMRO-DPMNE, koalicioni VLEN dhe Lëvizja ZNAM, si partnerë të mundshëm në qeverinë e ardhshme, kanë së bashku 78 deputetë. Mickoski ka thënë se ai beson se do të marrë më shumë se votat e nevojshme. Votimi i qeverisë kërkon mbështetjen nga dy të tretat e parlamentarëve, ose 80 nga 120 anëtarët e parlamentit maqedonas.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




