Shtatë zona në Maqedoninë e Veriut rihyjnë në votime për zgjedhjen e deputetëve

Maqedonia e Veriut | 2 vite më parë

Shtatë vendvotime në Maqedoninë e Veriut janë rifutur të mërkurën në zgjedhje për të përcaktuar deputetët e zonave të tyre pas parregullsive dhe kundërshtimit të rezultateve.

Votimet për 4,521 banorë nisën herët në mëngjes në zona të caktuara të Zhelinës, Krushevës, Ohrit, Dollnenit dhe Strugës. Një ditë më parë të drejtën kushtetuese e ushtruan qytetarët e sëmurë dhe të burgosurit e këtyre vendbanimeve.

Partitë që ndodhen në garë për ndryshim mandatesh janë Fronti Evropian, i cili fitoi 9 mandate, kundrejt 7 mandateve që mori koalicioni VLEN. Një rritje e votave për koalicionin e fundit mund ta barazojë numrin e mandateve. Ndërkohë ristrukturim të mandateve mund të ketë edhe për partitë LSDM dhe VMRO-DPMNE.

Në zgjedhjet e 8 majit, partia më e madhe opozitare e kryesuar nga Hristijan Mickoski fitoi 58 deputetë, Fronti Evropian, 19; socialdemokratët e LSDM-së ranë në 18 deputetë, VLEN fitoi 13, E majta, 6; dhe ZNAM, 6 deputetë.

VMRO-DPMNE dhe VLEN vijojnë bisedimet për formimin e qeverisë. Demokratët e VMRO-së kanë thënë se pas negociatave me VLEN-in do të bisedojnë me Lëvizjen ZNAM.

Qeveria e re pritet të formohet deri në mesin e muajit qershor, ndërsa javën e ardhshme duhet të konstituohet Kuvendi i Maqedonisë së Veriut. /Portalb

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme