Radhë të gjata për pasaporta e patenta me mbishkrimin “Maqedoni e Veriut”, të detyrueshme nga 12 shkurti

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Mijëra qytetarë maqedonas rrezikojnë të mos dalin dot nga vendi i tyre apo të mos kthehen në atdhe prej së hënës së 12 shkurtit, nëse pasaportat e tyre nuk kanë të printuar emrin “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Në fundjavë, nëpër stacionet lokale të policisë kishte radhë të gjata qytetarësh që përpiqeshin të pajiseshin me dokumentet e reja të identifikimit.

Pasaportat e vjetra që nuk e kanë pjesën “e Veriut” do të mbeten përkohësisht të vlefshme vetëm brenda territorit maqedonas.

“Është fizikisht e pamundur që të nxirren të gjitha dokumentet brenda afatit. Problemi më i madh mbetet printimi dhe nxjerrja e pasaportave, proces që mund të lehtësohet vetëm përmes organizimit dhe menaxhimit më të mirë,” shprehet ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Pance Toskovski.

Me ritmin aktual prej 50 mijë pasaportash në muaj, ministri vlerëson se do i duhet një vit i tërë përtej afatit të tanishëm që procesi të përfundojë.

Dokumentet e reja me mbishkrimin “Maqedoni e Veriut” janë detyrim sipas Marrëveshjes së Prespës të lidhur me fqinjët grekë, për t’i dhënë fund dekadave me përplasje e bllokada për shkak të emrit Maqedoni, të cilin e pretendon edhe Greqia.

Ministria maqedonase e Punëve të Brendshme ka njoftuar qytetarët se nga ora 00:00 e datës 13 shkurt 2024, në përputhje me ndryshimet ligjore tashmë të miratuara, do të jenë të vlefshme vetëm patentat me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

“Gjithashtu paralajmërojmë se në rast të dëmtimit të shkaktuar nga një aksident i mundshëm trafiku, për shkak të patentës së pavlefshme të shoferit, qytetarët që nuk kanë patentë shoferi të vlefshme do të duhet të bartin pasojat e dëmtimit të mundshëm,” thuhet në njoftimin e MPB-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme