Parlamenti maqedonas shkarkon dy ministrat, përçahet Aleanca për Shqiptarët

Shkarkimi i dy ministrave që vijnë nga Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, pasi drejtuesi i partisë, Arben Taravari njoftoi se do të kalonte në opozitë.
Me 62 vota pro të ligjvënësve u shkarkuan Fatmir Mexhiti nga posti i Ministrit të Shëndetësisë dhe Azir Aliu i Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Ata dy ishin rreshtuar pas zotit Taravari në përplasjet që kanë përfshirë eksponentë më të lartë të partisë, që ka rezultuar në krijimin e dy krahëve: njëri me ish-kreun e partisë Ziadin Sela që kundërshton bashkimin me opozitën dhe tjetri me kreun aktual Arben Taravari për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë.
Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët me në krye Ziadin Selën ka marr iniciativë për shkarkimin e kryetarit të ASh-së Arben Taravari.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur nga kryetari i Kuvendit Qendror të Aleancës, Ziadin Sela deklaroi se, “me 18 shkurt do të thirret kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, me të cilin do të marrë formë shkarkimi i kryetarit.
“Pas një debati të gjatë dhe me votë nga ana e kuvendit nga prezenca prej 108 anëtareve të kuvendit, 106 pro, 1 kundër, 1 abstenim u mor i iniciativa për shkarkimin e kryetarit të partisë. Natyrisht një vendim tjetër është për thirrjen e Kongresit të jashtëzakonshëm, i cili u thirr më datë 18 dhe duhet të marrë formë shkarkimi i kryetarit. Ndërsa për pikën tjetër, për atë se si do të shkojë në zgjedhje ASh-ja, ai që bën propozim është kryetari i partisë. Kjo pikë u vendos që nuk mund të diskutohet pasi u mor iniciativë për shkarkimin e kryetarit të partisë”, tha Sela.
Ai tha se sa i përket garës në zgjedhje, ai tha se janë të mendimit që të shkojnë vetë.
Me 8 shkurt, nga ana tjetër u mbajt Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët në Kumanovë nga lideri i partisë, Arben Taravari, i cili i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”. Megjithatë, Kuvendi i ka vendosur kusht Taravarit që të vazhdojë rrugën evropiane dhe të mos bëjë koalicon me forca anti-perëndimore.
Mexhiti dhe Aliu janë shkarkuar me propozim të kryeministrit teknik Talat Xhaferi i cili nga foltorja e kuvendit duke e sqaruar propozimin për shkarkimin tha se sipas ligjit, nuk mund të ketë dy subjekte opozitare në përbërje të Qeverisë dhe se ky është shkaku kryesor pse është propozuar shkarkimi i dy ministrave.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




