Parlamenti maqedonas shtyn në 31 dhjetor vlefshmërinë e patentave me “Maqedoni”

Problemet e pajisjes me patenta të reja me mbishkrimin “Republika e Maqedonisë së Veriut” shtyu të hënën parlamentin maqedonas të vendosë 31 dhjetorin si datën e fundit kur qytetarët mund të vazhdojnë të qarkullojnë me lejet ekzistuese.
Me 110 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan ndryshimet në ligjin për sigurinë rrugore, që patentat e shoferit me shkrimin “Republika e Maqedonisë” të jenë ende të vlefshme.
Deputetët propozues shpjeguan se qëllimi është që të gjendet një zgjidhje e shpejtë në interes të qytetarëve për t’i liruar ata nga presioni shtesë për nxjerrjen e dokumenteve personale. Kryeministri teknik Talat Xhaferi dha mbështetjen e tij ndaj propozimit pas takimeve me grupet parlamentare.
Kaosi me lejet e qarkullimit detyroi një ditë më parë disa kompani transportit të anulojnë udhëtimet e planifikuara në vijim, ndërsa po afrojnë pushimet pranverore si dhe sezoni i udhëtimeve.
Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve dhe lejeve të qarkullimit është detyrim për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, bazuar në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, më 17 qershor 2018.
Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, e kanë pritur momentin e fundit para datës limit të 13 shkurtit për zëvendësimin e dokumenteve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




