Ambasadori Reka takon Xhaferin: Integrimi në BE, mundësi reale që s’duhet humbur

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Marrëdhëniet Shqipëri–Maqedoni e Veriut kontribuojnë në stabilitetin e rajonit dhe gjithë Europës, prandaj të dyja vendet janë angazhuar për fqinjësi të mirë.

Të mërkurën, kryeministri maqedonas Talat Xhaferi priti ambasadorin e Shqipërisë në vend, Fatos Reka. Diplomati shqiptar uroi z. Xhaferi edhe në emër të qeverisë z. Xhaferi për zgjedhjen e tij në krye të ekzekutivit.

Dy zyrtarët folën për përpjekjet e përbashkëta të vendeve për t’u integruar me familjen europiane, si edhe ekonomikisht mes tyre.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria zhvillohen me sukses në rrugën evropiane dhe meritojnë anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Europian në një proces dinamik deri në vitin 2030. Kjo, siç u vlerësua, është me rëndësi për qytetarët e të dy vendeve, por edhe për stabilitetin europian, për shkak të kontekstit aktual gjeopolitik, prandaj mundësia shumë reale e deritanishme e integrimit europian për të dyja vendet nuk duhet humbur,” thuhet në komunikatë.

Nga ana e tij, z. Xhaferi tha se qeveria e përkohshme, që ai po drejton deri në zhvillimin e zgjedhjeve politike të radhës, bazohet në një koalicionin proeuropian, i cili si kurs politik ka integrimin dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.

Palët diskutuan edhe mbi hapësirat për bashkëpunim. Z. Xhaferi dhe z. Reka u pajtuan se duhet forcuar integrimi ekonomik rajonal për një qasje të lirë në tregun e punës dhe identifikimin elektronik të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor. Si Shqipëria, edhe Maqedonia e Veriut pritet ta fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik edhe përmes lidhjeve infrastrukturore në ndërtim e sipër, siç janë Korridori 8 dhe 10.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme