Kovaçevski jep dorëheqjen, Talat Xhaferi pritet të marrë kryeministrinë e Maqedonisë V.

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dorëzoi të enjten dorëheqjen e paralajmëruar, duke ia lënë vendin provizorisht kryeparlamentarit Talat Xhaferi.

Z. Kovaçevski u paraqit personalisht në Kuvend. Qeveria maqedonase do të riformatohet në tërësi si një organizëm teknik, i cili do të shërbejë deri në zgjedhjet e ardhshme, më 8 maj.

Gara parlamentare do të zhvillohet së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. 

“Patëm një takim joformal me ministrat dhe i falënderova për punën e palodhur të dy viteve të fundit. Dorëheqja ime është nënshkruar. Do të takoj edhe kryetarin e Kuvendit për t’i uruar një procedurë të suksesshme deri të dielën dhe më pas zgjedhjen e tij si kryeministër teknik.

“Talat Xhaferi ka përvojë në drejtimin e parlamentit. Unë kam ardhur me një përvojë tjetër në drejtimin e korporatave dhe kemi stile të ndryshme si politikanë, por shteti me siguri do të mbajë të njëjtin drejtim, orientim properëndimor dhe synime strategjike. Kjo është diçka që e parashikon ligji dhe më 9 maj qeveria e re do të udhëhiqet nga unë dhe koalicioni që do ta çojë Maqedoninë në BE deri në vitin 2030,” u shpreh Kovaçevski, kreu i socialdemokratëve, në një deklaratë për mediet.

Vetë kryeparlamentari Xhaferi pritet të japë dorëheqjen përpara se të pranojë postin e kryeministrit teknik.

Opozitarët e VMRO-DPMNE-së e kanë kundërshtuar z. Xhaferi për kryeministër, por do të jenë pjesë e kabinetit të përkohshëm. Një ditë më parë partia kryesore e pakicës propozoi edhe emrat e saj për ministra e zv.ministra në disa dikastere, si Ministria e Brendshme, e Punës dhe Mirëqenies, e Financave, e Bujqësisë dhe Administratës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme