Maqedonia V. drejt qeverisë teknike. Dorëheqjet së shpejti, por VMRO ka kushte

Maqedonia e Veriut po bëhet gati të formojë një qeveri të re teknike deri sa të caktohen zgjedhjet e ardhshme dhe për ta nxjerrë vendin nga ngërçi i numrave.
Përgatitjet formale për këtë hap pritet të nisin të hënën dhe qeveria të votohet brenda së dielës së 28 janarit.
Opozitarët e VRMO-DPMNE-së kanë përsëritur se duan të propozojnë ministrat dhe zëvendësministrat, por nuk do të votojnë një qeveri të drejtuar nga kryeparlamentari aktual Talat Xhaferi.
Si z. Xhaferi, edhe kryeministri në fuqi, Dimitar Kovaçevski, raportohet se do të japin dorëheqjen së shpejti nga pozicionet e tyre.
Opozita ka akuzuar socialdemokratët (LSDM) në pushtet se nuk duan të pranojnë përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së në kabinetin që do të organizojë zgjedhjet e ardhshme. Akuzat e tyre për korrupsion i drejtohen partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim” së Ali Ahmetit, e cila mund të kandidojë kryeministrin teknik.
“Për tre muaj i kanë gënjyer njerëzit për datën e zgjedhjeve. Tani kanë dy muaj që abuzojnë me publikun për qeverinë e përkohshme. Çdo zgjidhje hibbride do të dëmtonte vetëm vendin dhe qytetarët,” tha në fundjavë ish-kryeparlamentari Trajko Veljanoski.
Kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se VMRO-ja duhet t’i lërë bosh vendet që i takojnë në qeveri nëse nuk voton për kryeministrin z. Xhaferi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




