Maqedoni e Veriut/ Protesta për “Onkologjikun”, u vodhën ilaçet për të sëmurët me kancer

Dyshimet për shpërdorim detyre në Klinikën e Onkologjisë pritet të nxjerrin sot në protestë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Prokuroria dhe policia mësynë javën e kaluar në klinikë pas indicieve se stafi prej vitesh ka përvetësuar ilaçet, që ishin destinuar për personat e sëmurë me kancer, për t’i shitur ato në tregun e zi.
Skandali u zbulua nga javorja maqedonase “Fokus” në muajin maj, e cila raportoi për mungesën e terapisë me citostatikë.
Drejtuesi ekonomik i repartit dyshohet se ka krijuar lista false të pacientëve me kancer, duke përfshirë edhe të afërmit e tij, në mënyrë që t’ua shiste atyre barnat speciale.
“Prokuroria Themelore Publike e Shkupit dhe Ministria e Punëve të Brendshme vazhdojnë me procedurën parahetimore, të iniciuar në bazë të pretendimeve në tekstet e një gazete javore lidhur me punën e Klinikës së Onkologjisë. Kontrollet bëhen me qëllim të sigurimit të provave për ekzaminimin e shenjave të mundshme të veprës penale,” njoftoi Prokuroria Publike.
Protesta para qeverisë është planifikuar në orën 18:00 dhe protestuesit kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dhe të paraardhësve Venko Filipçe dhe Bekim Sali.
“Brutaliteti i pushtetit çdo ditë sjell viktima të reja, viktima të kësaj radhe janë pacientët e Klinikës së Onkologjisë të cilët kanë pritur me muaj në gjendje të rrezikshme për jetën, ndërsa barnat kanë përfunduar në tregun e zi në Kosovë. Bëhet fjalë për krimin e organizuar që përfshin zyrtarët më të lartë të qeverisë dhe ka vite që vazhdon. Ne nuk pranojmë përgjegjësi nga niveli më i ulët në Onkologji – kërkojmë përgjegjësi penale për qeveritarët,” thuhet në thirrjen për protesta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




