Ndryshimet kushtetuese/ Opozita maqedonase paralajmëron zgjedhjet e reja

Maqedonia e Veriut | 3 vite më parë

Tri parti opozitare në Maqedoninë e Veriut i kanë parashtruar qeverisë tri kërkesa me kushtin për të votuar procedurën e ndryshimeve në kushtetutë.

Amendimet mbi minoritetet janë kusht i Bullgarisë për vijimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Krerët e partive shqiptare Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa thanë të enjten se ata janë pro amendimeve, por duhet të futen në procedurë edhe tri pikat e tyre po aq europiane në frymë.

“[Kuvendi] të mos fshihet pas arsyetimeve të pabaza, por t’i vë në procedurë edhe amendamentet për heqjen e emërtimit ofendues 20 për qind për gjuhën shqipe si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik. Kohezioni ndëretnik dhe lufta kundër korrupsionit janë po ashtu parime dhe vlera evropiane sa edhe detyrimi për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, në mos edhe më shumë,” deklaroi Afrim Gashi, kryetar i Alternativës.

Shumicës socialdemokrate në Maqedoninë e Veriut i mungojnë numrat për t’i miratuar vetë ndryshimet kushtetuese.

Sipas Gashit, kjo mund të bëhet arsye për shpërbërjen e parlamentit dhe për zgjedhje të reja në vend.

“Nëse nuk ka shumicë të mjaftueshme për të miratuar fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese bëjmë thirrje që të votojmë për shpërbërjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në mënyrë që të kërkohet një përbërje tjetër parlamentare që do të ketë kapacitet dhe vullnet politik që t’i shtyjë proceset integruese drejt Bashkimit Evropian,” tha Gashi.

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka deklaruar se nuk do i votojë ndryshimet në kushtetutë për minoritetet dhe nuk do i bindet “diktatit bullgar”.

“SDS-ja (Unioni Socialdemokrat) dhe BDI-ja (Bashkimi Demokratik për Integrim) kanë shumë pak kohë për ta manipuluar publikun. Të premten, gënjeshtrat e tyre do të pëlcasin si flluska kur qytetarët do e shohin se partitë qeverisëse nuk e kanë shumicën për ndryshimet kushtetuese,” njoftoi VMRO-DPMNE.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme