Maqedoni e Veriut/ Ali Ahmeti: Ministrat e BDI-së dorëhiqen nga qeveria nëse opozita voton ndryshimet kushtetuese

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka bërë të ditur sot se ministrat e partisë së tij japin dorëheqje nga postet qeveritare, por ai e kushtëzon hyrjen në fuqi të këtyre dorëheqjeve me votimin e ndryshimeve të kushtetutës nga partia më e madhe opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE.
Ahmeti, njoftimin e ka bërë në Facebook, duke iu drejtuar Kryeministrit maqedonas Dimitar Kovaçevski për arsyet lidhur me këtë vendim të papritur.
Drejtuesi i partisë së dytë më të madhe në koalicionin qeveritar, Ali Ahmeti shkruan se Maqedonia e Veriut gjendet në një fazë kritike të së ardhmes evropiane; se vendimet e mëdha, sipas tij kërkojnë përgjegjësi dhe sakrifica politike, kombëtare e shtetërore, ndërsa BDI-ja është e përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik mbetet interesi më madhor i të gjithë qytetarëve të vendit.
Partia shqiptare vlerëson se ndryshimet kushtetuese janë rruga e vetme e vazhdimit drejt integrimit Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe për të arritur numrin e nevojshëm prej dy të tretës së votave në parlament, duhet të votojë edhe VMRO-ja e opozitës.
Ndonëse, VMRO-ja para pak javësh e vuri si kusht votimin e rishikimit të kushtetutës me largimin e BDI-së nga qeveria, tani ajo ngul këmbë për zgjedhje të parakohshme.
Parlamenti i vendit pritet të fillojë seancën plenare më 18 gusht për ndryshimet e paralajmëruara.
Maqedonia e Veriut ka një afat deri në nëntor që të miratojë këto ndryshime, përkatësisht të përfshijë pakicën bullgare në kushtetutë, në mënyrë që të vazhdojë fazën e dytë të bisedimeve me Bashkimin Evropian për integrim në këtë Bllok./ VOA
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




