Shkupi merr mbështetje nga Austria, Çekia dhe Sllovenia për bisedimet me BE-në

Maqedonia e Veriut | 5 vite më parë

Maqedonia e Veriut ka marrë mbështetje për nisjen e bisedimeve me Bashkimin Evropian nga Austria, Republika Çeke dhe Sllovenia, një ditë pasi Bullgaria tha se do të vazhdojë të përdorë të drejtën e vetos për të bllokuar anëtarësimin e Shkupit zyrtar. Ministrat e Jashtëm të këtyre tri shteteve shprehën mbështetjen e tyre për nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke thënë se çështjet e ndara bilaterale nuk duhet të bllokojnë zgjerimin e BE-së. Bullgaria ka thënë se nuk e ka ndërmend që të heqë veton për nisjen e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, për shkak të çështjeve kontestuese që ka me Shkupin sa i përket gjuhës dhe historisë. Për të miratuar kornizën e nisjes së bisedimeve me ndonjë shtet aspirues, kërkohet votë unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së.
Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Cekisë dhe Sllovenisë arritën në Shkup për të ofruar mbështetjen e tyre për nisjen e bisedimeve, që është paraparë të nisin në qershor.
Shumë shtete në Perëndim i bëjnë thirrje BE-së që të përshpejtojë procesin e bisedimeve për anëtarësim, pasi thonë se anëtarësimi i shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në bllokun evropian, është mënyrë për të luftuar ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon.
Shkupi kishte aplikuar fillimisht për anëtarësim në BE më 2004 dhe kishte marrë vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian më 2005.
Maqedonia e Veriut arriti marrëveshje me Greqinë lidhur me emrin, duke i dhënë fund një kontesti pothuajse tridekadësh.
Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina, janë në faza të ndryshme në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme