Zaev: Do të thellojmë aleancën midis Maqedonisë së V. dhe SHBA-së!

Drejtuesit e institucioneve shtetërore të Maqedonisë së Veriut kanë përshëndetur inaugurimin e presidentit të ri të SHBA-së, Joe Biden, duke shprehur besimin e plotë për vazhdimin e “marrëdhënieve të shkëlqyera” me SHBA-në si një partner strategjik, shkruan Radio Europa e Lirë.
“Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, i cili gjithmonë ka mbështetur demokracinë në vend dhe integrimin tonë euro-atlantik”, thuhet në mesazhin e presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Kryeministri, Zoran Zaev, ka uruar presidentin e ri amerikan Biden dhe nënpresidenten Kamala Harris duke theksuar besimin se “demokracia amerikane do të jetë një shembull global frymëzues”.
“President Biden, unë jam i lumtur për kohën që kemi para nesh në të cilën besoj se do të thellojmë aleancën midis Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe lidhjet e ngushta dhe miqësinë midis nesh dhe qytetarëve tanë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook, Zaev.
“Jam besimplotë se SHBA nën udhëheqjen e Biden do të mbeten partner strategjik i Maqedonisë së Veriut, shqiptarëve dhe Ballkanit në përgjithësi gjatë procesit tonë tashmë të pakthyeshëm drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian, por edhe në thellimin e miqësisë tradicionale me Amerikën. Bashkëpunimi jonë është i sinqertë dhe ne i ndajmë të njëjtat vlera. Të gjitha i arritëm bashkë, çdo sukses është i përbashkët”, thuhet në urimin e kryetarit të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.
Ndërsa në reagimin e liderit të opozitës shqiptare, Ziadin Sela thuhet: “ne si shqiptar jemi me fat që kemi krijuar një histori bashkëpunimi me popullin amerikan, dhe sot ndajmë të njëjtin gëzim për inaugurimin e presidentit të ri amerikan”, thuhet në deklaratën e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Demokrati Joe Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bëri betimin si nënpresidente.
Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.
Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt republikanit, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




