“Si erdhi audiolibri?”/ Violeta Volumi tregon momentin e vështirë
Violeta Volumi, mësuesja që ofron falas audiolibrin dhe e ka ndërmarrë këtë si mision, në emisionin “Një Shqipëri” me Mentor Nazarkon, tregoi sesi lindi ideja për regjistrimin audio të librave, për këdo që dëshiron t’i dëgjojë.
Kur gjatë bisedës, Nazarko e pyet mësuesen sesi lindi kjo ide dhe nëse ke qenë në një kohë të vëshitirë për të, ajo tregoi se, vërtet kishte qenë në një moment të vështirë, kur e ndërmori këtë hap.
“Kur e nisa këtë, ishte një periudhë që nuk isha mirë me shëndet. Thoja, sikur të kisha ndonjë libër t’ma lexonte dikush. Kisha nevojë për dikë, që të më lexonte një libër. Kur iu afrova moshës së daljes në pension, mendova që ta jap dhe unë kontributin tim. Po ashtu, kam pasur një shoqe në gjimnaz, që kishte probleme me shikimin dhe kjo më bëri që të ndërmerrja këtë hap. Edhe pleqtë janë më të vetmuar se kurrë. Nuk ka ditë që them se, sot nuk do të ulem të punoj, por kur më pyesin personat që nuk shikojnë, pse nuk bëj më, është një shtysë për të vazhduar”, – tha ajo.
Nipi i saj Bledar Daka, profesor dhe mbështetës i projektit të audiolibrave, tregoi se Violeta, energjinë që kishte e vuri në shërbim të njerëzve të tjerë.
“Libri është mënyrë e akumulimit të njohurive që njeriu që ka zbuluar. Tezja ka interes ta kalojë informacionin tek të tjerët. Unë kam dhënë ndihmë morale, ishte momenti kur ajo kishte përfunduar karrjerën akademike, ishte një boshllëk dhe një energji e pamasë dhe duhej të kanalizohej në një vend. Energjinë që kishte dhe ka, e vuri në shërbim të njerëzve të tjerë.” – tha Bledar Daka.
Të gjithë ata që kanë lexuar librat e kanë bërë në mënyrë vullnetare.
“Fillimisht, kanë qenë familjarët, ish-nxënësit e mi që kanë lexuar librat. Në Itali, Amerikë, Francë gjithandej jam mahnitur me solidaritetin. Vullnetarizmi, nuk ka përfunduar dhe të gjithë lexuesit e audiolibrit janë vullnetarë. Donatorët janë familja ime.” – tregoi Violeta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




