Urgjenca e QSUT, diagnozat kardiake më të shpeshtat. Kryeinfermieri: Qytetarët të ndjekin hallkat në sistem

Shëndet | 1 vit më parë

Rritja e temperaturave shton fluksin e pacientëve në urgjencën qendrore të QSUT-së.

Numrin më të lartë të rasteve e mbajnë shqetësimet kardiake, për të cilat stafi i Urgjencës thotë se nuk po njohin më moshë.

“Diagnozat më të shpeshta në urgjencën tonë janë ato kardiake. Rastet me çrregullime të ritmit të zemrës janë të shpeshta. Nuk njohin moshë. Që nga 18-vjeçarët e deri tek 101 vjeç,” tregon kryeinfermieri i Urgjencës së QSUT-së, Roland Alla.

Duke qenë polivalente, kjo pikë e ndihmës së parë përballon rreth 250–300 urgjenca në ditë, duke krijuar ngarkesa dhe radhëpritje, të cilat jo në pak raste sjellin padurim mes pacientëve të sëmurë.

“Çdo rast urgjence do të trajtohet, por përparësi marrin gjithmonë rastet e rënda dhe të tjerët duhet të presin. Nuk mund të përputhet perceptimi i familjarëve për sëmundjen me gjykimin e mjekut dhe të infermierit për historikun e pacientit, ndaj kërkohet mirëkuptim dhe durim në marrjen e ndihmës së parë. Përderisa paraqitemi në spital, ju lutemi jini pak më të durueshëm dhe besojini vlerësimit të mjekut dhe të infermierit,” apelon Dr. Alla.

Personeli kërkon nga pacientët të respektojnë hallkat e sistemit për të mundësuar një shërbim cilësor.

“Kërkojmë ndihmën e qytetarëve që të ndjekin të gjitha hallkat e sistemit shëndetësor që ka vendosur në dispozicion Ministria e Shëndetësisë, si mjeku i familjes, ai specialist dhe më pas ai terciar. Kështu do kishim shfryrje të fluksit në urgjencë dhe shërbim më cilësor për çdo pacient,” thotë kryeinfermieri i Urgjencës së QSUT-së.

Urgjencat janë njësitë me ngarkesën më të lartë të punës në sistemin shëndetësor, aq sa puna nuk njeh orare.

“Orarin kur vijmë e dimë, por kur ikim pastaj është e vështirë ta ndajmë,” shprehet Dr. Alla.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme