Obeziteti morbid tani trajtohet edhe në publik, kryhet me sukses heqja e një pjese të stomakut në QSUT

Shëndet | 1 vit më parë

Një 62-vjeçar, i cili prej kohësh vuante nga obeziteti morbid, duke i krijuar edhe sëmundje të tjera shoqëruese, ka gjetur më në fund shpëtim në klinikën e parë të Kirurgjisë në QSUT.

Kjo falë ndërhyrjes me anë të teknikës “sleeve” të gastrektomisë laparoskopike, e cila kryhet për herë të parë në spitalet publike nga Prof. Arvin Dibra dhe ekipi i mjekëve.

“Ekzistojnë mënyra të ndryshme të obezitetit morbid ndër të cilat është edhe heqja e stomakut që quhet ‘sleeve resection’, që redukton volumin e stomakut dhe në pritshmërinë do të prodhojë një ulje të peshës së pacientit. Akoma më interesante është realizimi i kësaj procedure nëpërmjet laparaskopisë, me teknika invazive, pa e hapur barkun e pacientit, ç’ka do të ishte një problematikë serioze në një pacient me këto parametra dhe me këtë peshë”, shprehet Dr. Dibra, drejtuesi i Shërbimit të Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT.

Falë kësaj teknike pacienti ka të gjitha shanset tashmë të beje një jetë me cilësi.

“Realizimi nëpërmjet laparoskopisë rrit shanset për ndërhyrje perfekte dhe komplikacionet postoperatore të minimizohen, dhe në fakt pacienti është në ditën e katër dhe është në gjendje të mirë”, thekson mjeku.

Nga ana e tij, pacienti shprehet falenderues për këtë ndërhyrje e cila do t’i ndryshojë jetën.

Obeziteti morbid është një sëmundje komplekse që përfshin sasi të tepërta të dhjamit ne trup duke shkaktuar probleme të shumta shëndetësore. Obeziteti po prek shumë në Shqipëri edhe fëmijët 13-15% e tyre klasifikohen obezë.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme