Bie faqja e Bashkisë Tiranë, grupi proiranian pretendon për një sulm kibernetik

Grupi proiranian “Homeland Justice” mori përsipër të premten një sulm kibernetik ndaj faqes zyrtare të Bashkisë së Tiranës.
Faqja e Bashkisë doli jashtë funksionit në orët e paradites, ndërsa autoritetet lokale nuk dhanë detaje të mëtejshme.
“Ne e nxorëm faqen nga linja, tërhoqëm të dhënat dhe fshimë serverët,” njoftoi grupi i hakerëve përmes aplikacionit Telegram.
Sulmi u justifikua nga grupi për shkak të politikave të bashkisë, por edhe të qeverisë shqiptare për sa i përket strehimit të disidentëve iranianë, muxhahedinëve, dhe organizatës së tyre.
“Kjo ndodh kur shumicën e buxhetit ia dedikon mirëqenies së terroristëve të MEK-ut (shk. Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit)…
Këto veprime do ju kushtojnë rëndë. Ne ju kemi paralajmëruar më parë… që t’i dëboni ata nga toka shqiptare. Por ju i keni njohur si refugjatë të ligjshëm dhe u keni dhënë godina, karta identiteti dhe pasaporta të falsifikuara. Kjo situatë ka si shkak liderët e qeverisë shqiptare,” shkroi grupi i hakerëve.
Policia e Shtetit ka njoftuar se ka nisur veprimet hetimore.
Grupi “Homeland Justice” e ka pasur në shënjestër Shqipërinë edhe në të kaluarën, përkatësisht në korrik të vitit 2022, kur mori përsipër një sulm të gjerë ndaj portalit të shërbimeve publike vendase. Pala shqiptare me ndihmën edhe të hetuesve nga FBI-ja amerikane dolën në përfundimin se agresioni kibernetik u orkestrua dhe u sponsorizua nga shteti i Iranit. Me ta bërë të njohur këtë fakt, kryeministri Edi Rama njoftoi ndërprerjen e marrëdhënieve dypalëshe me Iranin dhe largimin e detyrueshëm të stafit diplomatik iranian nga Shqipëria.
Në janar 2024, edhe faqja zyrtare e Institutit të Statistikave u sulmua nga hakerët e këtij grupi. Sulmi ndodhi pas realizimit të censit të popullsisë, por INSTAT deklaroi se të dhënat demografike nuk ishin objekt i sulmit dhe dëmet ishin parandaluar dhe minimizuar në kohë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




