Pishinat jo vetëm të bukura, por edhe të sigurta. Kreu i Inspektoratit: Denonconi nëse konstatoni probleme!

Shëndet | 1 vit më parë

Matje, analiza uji, libreza shëndetësore për personelin, kualifikimet e të punësuarve etj. janë disa nga dokumentet e domosdoshme që duhet të plotësojë një subjekt që zotëron pishina përpara fillimit të aktivitetit.

Drejtori i Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, Klinton Leka, thotë se kontrollet kanë nisur para sezonit, por subjektet kanë qenë vetë të interesuara që të plotësojnë standardet.

Uji i pishinës është një mjedis ideal për riprodhimin e mikroorganizmave, si bakteret dhe kërpudhat, ndaj për këtë kërkohet plotësimi i disa kushteve.

“Çdo ditë duhet bërë një matje e klorit dhe pH. Klori duhet të jetë në normat 0,7–1,5 dhe pH 6,5–7,5. Kjo matje bëhet në fillim, në mes dhe në fund të çdo dite. Ato shënohen në regjistër, që ne e kontrollojmë çdo ditë kur jemi prezentë. Duhet të kenë analizën e ujit brenda parametrit, ambientet e dezinfektuara…” thotë z. Leka.

Menaxhimi i fluksit është një tjetër kusht. Mbipopullimi i rrit shumë problemet.

Sipas parametrave ndërkombëtarë të shëndetit, norma e sipërfaqes së llogaritur në hapësirën e një pishine duhet të jetë 2–3 metra katrorë për person.

“Pishinat, në bazë të kapacitetit, kanë një numër të caktuar frekuentuesish që nuk e kalon atë,” tregon drejtori Leka.

Detyrimet nuk janë vetëm për subjektet, por edhe për pushuesit, të cilët duhet të respektojnë rregulloren e brendshme dhe të marrin kontakt për çdo të papritur.

“Edhe këtë vit ne u lutemi qytetarëve që t’i drejtohen institucionit tonë në rast se kanë problematika të ndryshme, sepse edhe neve na e bëjnë punën më të lehtë, sepse duhet të jemi prezentë që të marrim masa të menjëhershme përpara se të përhapet një burim infektiv,” apelon z. Leka.

Respektimi i kushteve nga të dyja palët shmang problemet shëndetësore, kryesisht infeksionet në lëkurë, numri i të cilave është i lartë gjatë verës.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme