Origjina e COVID-19 mbetet mister, OBSH: Mungesa e të dhënave pengon zbardhjen e burimit të virusit
Pas më shumë se tri vitesh punë, një grup ekspertësh i emëruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se origjina e virusit COVID-19 mbetet ende e paqartë.
Në raportin përfundimtar, ata thanë se mungesa e të dhënave thelbësore, sidomos nga Kina, e pengoi hetimin. Sipas shumicës së provave shkencore, virusi ka të ngjarë të jetë përhapur nga kafshët te njerëzit, ndoshta përmes një strehuesi të ndërmjetëm.
Megjithatë, mungesa e të dhënave e bëri të pamundur përjashtimin e plotë të një rrjedhjeje laboratorike. Ekspertët nuk patën qasje në sekuenca virale dhe informacione mbi biosigurinë që mund të ndihmonin në zbardhjen e origjinës.
Kreu i grupit, Dr. Marietjie Venter, tha se nuk ka prova që virusi është krijuar qëllimisht apo që qarkullonte para dhjetorit 2019.
Disa specie kafshësh, si qentë rakunë dhe minjtë bambu mbeten në fokus si burime të mundshme të përhapjes.
Kina ka mohuar një rrjedhje nga laboratori dhe ka kërkuar që hetimi të përqendrohet edhe jashtë saj.
Drejtori i OBSH-së e quajti zbulimin e origjinës një detyrim moral përballë humbjeve njerëzore dhe ekonomike. Në mungesë të të dhënave të reja, hetimet e pavarura do të vazhdojnë dhe thirrjet për transparencë do të intensifikohen tha ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




