Temperaturat e larta, mjekja kardiologe: Kujdes personat me probleme në zemër, ekspozimi në orët e pikut është i rrezikshëm

Doktorja e Shkencave në Kardiologji, Ëngjëllushe Hasani, e ftuar në studion e RTSH 24 ka folur për rrezikun që kanoset nga temperaturat e larta.
Hasani deklaroi se qytetarët, kryesisht ata me insuficiencë kardiake, nuk duhet të dalin pas orës 11:00 e deri në orën 18:00 nga shtëpitë e tyre, pasi rreziku është i lartë.
“Fakt që faktorët ambientalë ndikojnë te shëndeti i popullatës dhe kryesisht te të sëmurët kardiovaskular.
Këto ditë të nxehta sigurisht që do të ndikojnë te ajo pjesë e popullatës që janë më vulnerabël, fëmijët dhe moshat e treta. Aq më tepër kur këto të fundit kanë dhe sëmundje shoqëruese.
Kjo kategori pacientësh e ka më të vështirë të bëj përshtatje sidomos në këto temperatura të larta.
Individë të tillë që kanë këto diagnoza të rëndësishme dhe të tjera bashkëshoqëruese, hyn te pacientët me risk të mesëm, të lartë dhe shumë të larta. Ata e kanë të vështirë ambientimin me temperaturat e befta. Me këto lloj temperaturash, popullata s’duhet të dalë në orët e pikut të vapës, sidomos pas orës 11:00 dhe deri në 17:00-18:00 pasdite”, deklaroi ajo, ndërsa theksoi se një veçori që është hasur gjatë këtij viti, është fakti që temperaturat e larta mbeten të tilla edhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, duke e bërë trupin e njeriut të ndihet i lodhur dhe i pakarikuar për të nesërmen.
“Një veçori këtë vit është që temperaturat e larta do jenë dhe gjatë natës dhe do bëjë që trupi i njeriut të mos çlodhet për të nesërmen. Sa më të larta temperaturat, aq më të larta duhet të jenë reduktimet e daljes jashtë.
Këto ditë të nxehta, personat me insuficiencë kardiake, mbase s’duhet të dalin fare jashtë shtëpisë”, tha më tej doktoresha.
Por ndërsa i nxehti ka prekur vendin tonë, qëndrimi para kondicionerit është një zgjidhje e gjetur për të gjithë personat që nuk përballojnë dot temperaturat e larta.
Në lidhje me këtë, doktoresha këshilloi qytetarët që të konsumojnë sa më shumë lëngje,pasi dhe qëndrimi në orë të gjata para kondicionerit është i dëmshëm.
“Edhe qëndrimi në orë të gjata me kondicionier nuk duhet por duhet të kombinohen me hidratim të bollshëm. Pirja e lëngjeve, dhallë me kripë, suplemente të kaliumit përmes zierjeve të kumbulla”, theksoi doktoresha.
Por përpos gjetjet së një zgjidhje duke qëndruar në ambiente të brendshme me kondicioner, shumë qytetarë zgjedhin plazhin për t’iu bërë ballë temperaturave të larta.
Hasani u ndal kryesisht te moshat e treta duke deklaruar se qëndrimi në plazh nuk rekomandohet për këtë kategori. Ekspozimi në diell, gjatë orëve të drekës, sipas doktoreshës, është e rrezikshme.
“Për moshat e treta qëndrimi në plazh nuk rekomandohet. Nëse janë afër detit mund të dalin në mëngjes ose në orët e vona të mbrëmjes. Ekspozimi në diell në pikë, është e rrezikshme”, tha ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




