Kirurgu dental shqiptar Erind Kalemaj, mes 100 doktorëve më të mirë në botë nga Global Summits Institute
Në një arritje të jashtëzakonshme për profesionin dhe përfaqësimin shqiptar në arenën ndërkombëtare, kirurgu stomatologjik dhe implantologu shqiptar Erind Kalemaj u rendit mes 100 doktorëve më të mirë në botë nga Global Summits Institute (GSI), një institut prestigjioz që përzgjedh klinicistët më të dalluar në fushën e tyre çdo vit.
Kalemaj u nderua me këtë çmim në një ceremoni Gala të zhvilluar në Sardenja të Italisë, duke u bërë një nga emrat më të shquar shqiptarë në rang global në fushën e kirurgjisë dentare.
I ftuar në studion e emisionit “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, Dr. Kalemaj tha se ky institucion vlerëson arritjet profesionale, nivelin e arsimit dhe kontributin shkencor të specialistëve. Ai theksoi se ky është një privilegj i madh dhe rezultat i një rrugëtimi të gjatë me sakrifica.
“Instituti Global Summits, është një institut që merret me rankimin, renditjen dhe përzgjedhjen e klinicistëve më të mirë në botë të atij viti. Ata vlerësojnë arritjet profesionale, shohin arsimimin, kontributin shkencor. Unë pata fatin që kisha marrë një çmim në Amerikë dhe ata më nominuan dhe më ndihmuan në përzgjedhjen time. Të përfaqësosh vendin në instanca kaq të larta patjetër që është privilegj. Është një rrugëtim me sakrifica dhe nuk janë gjëra që arrihen lehtë”, u shpreh Kalemaj.
Gjithashtu, Dr. Erind Kalemaj theksoi sfidat dhe realitetin aktual të stomatologjisë në Shqipëri. Ai shtoi se ky “boom” i fundit në fushën e stomatologjisë mund të jetë i përkohshëm, pasi edhe vende më të zhvilluara e kanë kaluar këtë fazë më parë.
“Kur erdha në Shqipëri u hasa me një realitet ku pjesa më e madhe ishin kirurg dhe të jesh i tillë ka disa specifikime sepse stomatologjia nuk është më ajo degë e mjekësisë që mund të bësh çdo gjë në mënyrë të përgjithshme dhe ka disa specifikime të ngushta. Në Shqipëri gjithkush mund të bëj gjithçka pa pasur një disiplinim të tregut dhe kjo është një gjë e mirë sepse rrit ambiciet por nga ana tjetër sjell dëme të pashmangshme drejt pacientëve. Është një “boom” që unë e shoh pak të shkurtër për të zgjatur në kohë, shoh një cikël 4-5 vjeçar dhe më tej jo sepse e kanë kaluar edhe vende të tjera perëndimore para nesh. Këto hapen si zinxhir klinikash dhe funksionojnë si “low cost’ që do të thotë se çmimi i lirë dhe koha e shpejt mundëson që të huaj të vijnë këtu dhe të bëjnë shërbimet dentare. Mjekët shqiptar janë ndër mjekët më të mirë që unë njoh, në Shqipëri nuk punojnë vetëm shqiptar por edhe të huaj që blejnë diploma dhe kjo është në të keqen tonë sepse është imazhi ynë që shitet përtej vendit”, tha ai.
Dr. Kalemaj tha gjithashtu se problemi kryesor qëndron në strukturën e pronësisë së klinikave dentare në Shqipëri.
“Problemi është tek ne sepse e shoh që në shumicat e klinikave kanë pronarë investitor dhe jo mjek, dhe kjo do të thotë se duan numra dhe numrat duhet të jenë të shpejta, duke pasur numrat ul cilësinë“, theksoi mjeku.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




