Frika nga ethet e Nilit është prezente, ISHP: Dezinsektimi ka nisur në kohë dhe kryhet periodikisht

Shëndet | 1 vit më parë

Korriku i nje viti më parë, pas 13 vitesh mungesë, shënoi shpërthim të etheve të Nilit në Shqipëri, ku fatkeqësisht humbën jetën 3 persona.

Por a ekziston rreziku i rishfaqejes për sa kohë vektori i mushkonjës që e transmeton këtë sëmundje është i pranishëm? Kjo varet shumë nga procesi i dezinsektimit, koha kur fillon dhe shtrirja gjeografike e saj, për të cilën Instituti i Shëndetit Publik siguron se ka qenë i rregullt.

“Derisa është evidentuar, me gjasa, absolutisht nuk mund të themi që e përjashtojmë apo do të kemi raste të tjera. Duke theksuar që janë të gjithë strukturat në gatishmëri dhe duke vlerësuar çdo rast të mundshëm me meningjit apo meningoencefalit, në lidhje me ethet e Nilit, ISHP-ja ka kapacitetet për të diagnostikuar çdo rast të mundshëm,” shprehet drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini.

Tomini thotë se procesi ka nisur në muajin prill në bashkëpunim me bashkitë, por për këtë duhet edhe bashkëpunimi i komuniteteve dhe bizneseve.

“Ka një bashkënim të rëndësishëm në drejtim të mbarëvajtjes së procesit të dezinsektimit në të gjitha zonat bregdetare, ligatinore dhe urbane. Ky proces do të ndihmojë shumë në minimizimin e popullatave të mushkonjave në vend. Do të minimizojë larvat, pra që të mos kemi formën adulte dhe kështu kemi ndikuar indirekt edhe në uljen e vektorit që i transmeton ethet e Nilit. Duke qenë se vitin e kaluar kemi pasur një shpërthim, të gjitha strukturat tona janë impenjuar në drejtim të një mjedisi të pastër, por në këtë proces duhet të kontribuojmë të gjithë, edhe komuniteti, edhe bizneset,” thotë Dr. Tomini.

Sëmundja e etheve të Nilit, në 80 për qind të rasteve nuk shfaq shenja, ndërkohë që vetëm në 1 për qind e rasteve të prekura mund të shfaqin sëmundje të rënda të sistemit nervor, siç janë meningjiti apo encefaliti. Pjesa tjetër shfaq temperaturë, dhimbje koke, të vjella apo dobësi muskulore, simptoma të ngjashme me ato të një gripi.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme