I shkaktuan shtetit mln euro dëme- Gjykata e Fierit lë në burg CEO-n kinez dhe ish-administratorin e “Bankers Petroleum”

Pas seancës që zgjati për më shumës se 8 orë, Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin e saj duke lënë në burg Drejtorin Ekzekutiv, kinezin Hongping Xiao dhe ish-drejtorin e përgjithshëm, të “Bankers Petroleum”, Leonidha Çobo, të cilët i shkaktuan shtetit dëme në miliona euro.
Gjithashtu, Gjykata ka lënë në fuqi masat e sigurisë edhe për 7 punonjësit e kompanisë “Bankers Petroleum”, të arrestuar në kuadër të hetimeve për evazion fiskal dhe mashtrim me të ardhurat, të cilët dyshohet se kanë pasur rol aktiv në realizimin e kësaj skeme.
Sipas raportimeve të korrespondentes së RTSH në Fier, bëhet e ditur se Gjykata e Fierit dha vendimin pas 8 orësh seancë, ku shtetasi kinez Hong Ping Xiao, dhe ish-drejtori Leonidha Çobo, do të qëndrojnë në burg, pasi ata dyshohen për përfshirje në një skemë të mirëorganizuar mashtrimi financiar.
Referuar dosjes së Prokurorisë së Fierit, kompania Bankers Petroleum” ka krijuar skema për të fshehur të ardhurat reale, duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe duke dëmtuar rëndë interesin publik.
Prokuroria lëshoi 14 masa sigurie për 14 persona dhe subjekte, në kuadër të hetimeve për “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nën akuzat për krijim skemash mashtruese në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), fshehje të të ardhurave, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe moskryerje detyrash nga organet tatimore.
“Nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se, shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd”, nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte, Patos-Marinëz-Fier. Është vërejtur se, shoqëria ka kryer eksporte dhe shitje brenda vendit nga viti 2004 deri në vitin 2024 në vlerën prej 532,433,614,112 lekë. Po ashtu, rezulton se shoqëria ka deklaruar shpenzime tatimore në vlera që tejkalojnë të ardhurat nga eksportet dhe shitjet, duke dalë në çdo vit ushtrimor me humbje, ku vlera totale për të gjitha periudhat është në shumën 11,691,799,688 lekë. Nga hetimi, dyshohet se dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit, përmes përfitimit të Tvsh-së, është në miliona euro”, theksohet në njoftimin e Prokurorisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



