Zjarri në landfillin e Elbasanit drejt shuarjes së plotë pas 6 ditësh beteje

Shëndet | 1 vit më parë

Pas gjashtë ditësh përpjekjesh të pandërprera, zjarri masiv në landfillin e Elbasanit është thuajse i shuar plotësisht, duke shënuar një fitore të rëndësishme në një prej operacioneve më sfiduese të viteve të fundit. Autoritetet bëjnë të ditur se 95% e zjarrit është neutralizuar, ndërsa pjesa e mbetur përbëhet kryesisht nga avuj dhe gazra të krijuar nga djegia dhe uji i hedhur për fikje.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, kanë qenë në vendngjarje çdo ditë, duke monitoruar nga afër situatën. Llatja e cilësoi këtë si një “betejë që po fitohet bashkërisht”, duke theksuar angazhimin maksimal të strukturave vendore dhe qendrore.

“Është dita e gjashtë e luftës që bëjmë bashkërisht, bashkë me zjarrfikësit e Elbasanit, zjarrfikësit kombëtarë, emergjencat civile, forcat e ushtrisë, si edhe me kompanitë private që operojnë në Elbasan, të cilat kanë dhënë një dorë të mirë në fikjen e zjarrit,” deklaroi Llatja, duke falënderuar të gjithë kontribuesit.

Ai shtoi se vatra fillestare është tashmë e izoluar dhe ndonëse mund të vazhdojë të lëshojë gaz e avull edhe për dy ditë, gjithçka është nën kontroll.

Bashkia dhe Drejtoria e Përgjithshme e Zjarrfikësve kanë siguruar mbështetje me mjete dhe forca nga Fier, Berat, Kamzë dhe Tiranë, duke dëshmuar një koordinim efikas në menaxhimin e emergjencës.

Operacioni më sfidues i dekadës

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, e përshkroi këtë zjarr si “një nga operacionet më të vështira të viteve të fundit”. Ai shpjegoi se prania e materialeve plastike dhe komponimeve të tjera e bëri zjarrin jashtëzakonisht të vështirë për t’u shuar, duke kërkuar përdorimin e qindra kilogramëve shkumë dhe tonelatave inerte për ta izoluar.

“Tashmë 95% e vatrës së zjarrit është totalisht e izoluar. 5% e mbetur përbëhet nga avuj dhe gazra, por pa prani flakësh. Mund të themi me bindje që ky zjarr është i menaxhueshëm dhe do të mbahet nën kontroll edhe në ditët në vijim,” theksoi Cara, duke siguruar publikun se situata është në monitorim të vazhdueshëm.

Apel dhe ndjesë për qytetarët

Në fund, kryebashkiaku Llatja bëri një apel publik ndaj qytetarëve, duke theksuar se zjarret vijnë shpesh nga pakujdesia ose zjarrvënia e qëllimshme. Ai paralajmëroi se “edhe një zjarr i vogël për nevoja bujqësore mund të sjellë një katastrofë”.

Llatja gjithashtu kërkoi ndjesë për ndotjen dhe tymin e përhapur ditët e fundit, duke siguruar se ekipet do të qëndrojnë në terren deri në eliminimin e plotë të rrezikut dhe kapsulimin e mbetjeve të ekspozuara. Edhe drejtori Cara i bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të njoftojnë menjëherë për çdo vatër të re zjarri, pasi “ndërhyrja në momentin e parë është vendimtare.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme