Insektet e verës, si të mbrohemi nga pickimet dhe sëmundjet që ato shkaktojnë?

Shëndet | 1 vit më parë

Stina e verës sjell me vete ditë të ngrohta dhe kohë për aktivitete në natyrë, por gjithashtu ekspozon njerëzit ndaj rreziqeve nga insektet dhe zvarranikët. Nga mushkonjat bezdisëse te pickimet e bletëve, grerëzave dhe madje edhe merimangave, këto ndërhyrje natyrore mund të shkaktojnë jo vetëm parehati, por edhe pasoja serioze shëndetësore.

Në një lidhje direkte me emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH, prof. Blerina Vrenozi, eksperte e zoologjisë, vuri në dukje disa nga rreziqet më të zakonshme gjatë kësaj periudhe. Zoologia shtoi se rreziku nuk qëndron vetëm te helmi, por edhe bakteret që mund të gjenden në aparatin e pickimit të këtyre krijesave dhe që transmetohen në trupin e njeriut.

“Flasim shpesh për insekte por ne kemi edhe merimanga të cilat nuk janë insekte por janë të klasës arachni dhe në Shqipëri kemi vejushën e zezë ë cila shkakton shumë probleme, duke pasur parasysh që helmi ka një neurotoksinë shumë të fuqishme siç janë vështirësia në frymëmarrje, aritmi apo probleme kardiake etj.. Por ajo që është ë rëndësishme për të theksuar nuk është vetëm helmi i tyre por edhe bakteret që ndodhen në organet e pickimit të tyre të cilat transmetohen bashke me helmin. Ndërkohë insektet që janë më rëndësi në Shqipëri janë bleta, grerëza, mushkonjat dhe milingonat të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme në organizëm”, u shpreh zoologia.

Specialistja e zoologjisë, sqaroi disa nga keqkuptimet më të zakonshme dhe dha këshilla praktike për trajtimin e menjëhershëm të pickimeve. Ajo theksoi gjithashtu se në Shqipëri, nepërka është i vetmi gjarpër helmues, ndaj kujdesi në zonat rurale dhe malore është thelbësor.

“Ekziston një mit, i cili thotë se në momentin e pickimit zona duhet thithur apo prerë, por ky është një mit që bie poshtë. Ajo që duhet bërë është të ngrini këmbën mbi nivelin e zemrës. Të dezinfektojmë plagën më mjete rrethanore ose të vendosni akull i cili përveçse të qetëson, ngadalëson edhe transmetimin e neurotoksinave në gjak dhe ngadalëson procesin e inflamacionit. Një këshillë ë rëndësishme është të mos i kruani sepse kështu bëhet burim infeksioni. Nepërka është i vetmi gjarpër helmues në Shqipëri”, tha ajo.

Vrenozi paralajmëroi se reagimi i shpejtë është jetik, veçanërisht në rastet kur pickimi shkakton vështirësi në frymëmarrje apo simptoma neurologjike. Në situata të tilla, këshillohet shkuarja menjëherë në spital. Mbrojtja nga mushkonjat dhe insektet e tjera është thelbësore për të shmangur rrezikun e sëmundjeve gjatë verës dhe për të pasur një sezon sa më të sigurt.

“Mushkonjat janë insekte shumë të rëndësishme të cilat shërbejnë si vektor të përhapjeve të sëmundjeve të ndryshme si rasti i virusit të “Nilit Perëndimor” dhe duhet të mbajmë nën kontroll popullatën e tyre ku janë institucionet përgjegjëse që merren me dezinfektimin e kanaleve ku e rëndësishme është një dezinfektimi të bëhet në fazën larvare. Aroma e lëkurës që ka të bëj kryesisht me acidin laktik është ajo që i tërheq më së shumti mushkonjat, është dioksidi i karbonit që ne clirojmë dhe kryesisht ato që kanë kapacitet mushkor më të madh i tërheqin ato më shumë, por edhe veshjet me ngjyrë të errëta i afroni më shumë ato. Është mirë që kur udhëtoni të mbani me vete një spray i cili i mban larg insektet, gjithashtu adrenalinë kur bëhet fjalë për episode alergjike, krem kortizonik për infeksionin dhe në raste kur janë shumë problematike si ajo e vejushës së zezë apo nga kafshimi i nepërkës duhet të shkoni menjëherë në spital”, theksoi zoologia Vrenozi. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme