Kur sfidon me hedhjet nga lartësitë – Që kënaqësia të mos kthehet në rrezik, mjekët këshillojnë shumë kujdes

Shëndet | 1 vit më parë

Zbavitja në ujë, kur sfidojmë lartësinë, shpesh ka pasoja të rënda.

Mjeku neurokirurg Jurgen Kinka tregon se çfarë ndodh me trupin kur përplasemi me forcë në ujë.

“Të rinjtë, adoleshentët, janë më të predispozuar për hedhjet nga lartësia në lumenj, liqene apo në det. Forca shtytëse që ka pjesa e fortë e sipërfaqes nënujore transmeton një energji shumë të lartë te pjesa nga koka në qafë, duke pësuar dëmtime shumë të rënda në strukturat cervikale apo të qafës. Shohim raste shumë të shpeshta me fraktura cervikale, duke pësuar kështu edhe paraliza, paraplegji, tetraplegji. Hedhja nga lartësia mund të jetë edhe jetëkërcënuese, duke shkaktuar vdekje të menjëhershme,” thotë Dr. Kinka.

Çfarë këshille do u jepte doktori adoleshentëve, të rinjve apo dhe prindërve?

“Prindërit duhet të shtojnë kujdesin dhe vigjilencën ndaj fëmijëve. Duhet të kenë kujdes, sepse jo çdo lumë është i notueshëm apo për t’u hedhur nga lartësia, sepse rreziku mund të përkthehet në pasoja invalidizuese për tërë jetë. Edhe adoleshentët, që janë subjektet më vulnerabël ndaj këtyre traumave, duhet t’u them që të jenë pak kundër këtyre aventurave,” këshillon neurokirurgu.

Adrenalina zgjat vetëm pak sekonda, por kujdesi duhet të zgjasë më shumë në mënyrë që zbavitja të mos kthehet në rrezik për jetën dhe shëndetin.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme