Dushi i thjeshtë është dushi më i mirë, dermatologët këshilla kundër influencuesve në mediat sociale

Ndërsa mediat sociale vërshojnë me rutina të hollësishme pastrimi për dushin – që përfshijnë eksfolim ditor, pastrim të dyfishtë, sapunë antibakterialë, dhe shumë skrube e vajra trupi me aromë – dermatologët paralajmërojnë se thjeshtësia është çelësi. Shumica e këtyre praktikave shumëplanëshe jo vetëm që janë të panevojshme, por mund të dëmtojnë lëkurën dhe mjedisin.
“Jam paksa e tmerruar nga rutina e dushit,” tha Dr. Olga Bunimovich, një dermatologe dhe asistente profesoreshë në Universitetin e Pitsburgut. Edhe Dr. Nicole Negbenebor, kirurge dermatologjike në Kujdesin Shëndetësor të Universitetit të Ajovës. Ajo theksoi se “lëkura juaj është një barrierë… duhet ta trajtoni siç duhet, dhe ndonjëherë mund të ketë shumë gjëra të mira.”
Dermatologët bien dakord se një dush i përditshëm me ujë të vakët dhe një pastrues hipoalergjik pa aromë, i ndjekur nga një locion ose vaj hidratues, është plotësisht i mjaftueshëm.
Këshilla kryesore
Temperatura dhe kohëzgjatja- Mos qëndroni në dush shumë gjatë dhe mos e ngrini temperaturën e ujit shumë. Uji i nxehtë dhe dushet e gjata mund të zhveshin lëkurën nga vajrat natyralë mbrojtës, duke e lënë atë të thatë dhe të acaruar.
Zgjedhja e sapunëve- Përdorni një sapun të destinuar për lëkurë të ndjeshme. Sapunët antibakterialë, ndonëse popullorë, mund ta thajnë shumë lëkurën për përdorim të përditshëm. Megjithatë, ata mund të jenë të dobishëm për individët me gjendje autoimune të lëkurës si hidradenitis suppurativa.
Vajrat dhe hidratimi- Vajrat mund të jenë të dobishëm pasi të keni dalë nga dushi, por duhet mbajtur mend se vaji nuk është hidratues. Ai vepron si një izolues, duke bllokuar lagështinë që uji i jep lëkurës. Dr. Lisa Akintilo, dermatologe në NYU Langone Health, thekson rëndësinë e rutinave që përfshijnë si pastrimin ashtu edhe hidratimin.
Pastrimi i Dyfishtë
Dermatologët janë kritikë ndaj “pastrimit të dyfishtë” të trupit dhe eksfolimit të tepërt.
Pastrimi i Dyfishtë është një praktikë, e cila përdoret zakonisht për kujdesin e fytyrës për të hequr grimin dhe yndyrën e tepërt, por është e panevojshme për të gjithë trupin.
Dr. Bunimovich thekson se njerëzit përdorin shumë sapun dhe nuk ka nevojë të sapunohet e gjithë lëkura. Ajo këshillon të lahen vetëm organet intime dhe palosjet e lëkurës.
Ndërsa eksfolimi ndihmon në largimin e qelizave të vdekura të lëkurës, kryerja e tij çdo ditë mund të shkaktojë acarim, veçanërisht për lëkurën e thatë ose ato me probleme si ekzema apo aknet. Eksfolimi manual (me skrube ose lufa) duhet të bëhet me kursim. Një mënyrë më e butë është përdorimi i produkteve me acid laktik ose glikolik, por jo çdo ditë. Skuqja pas eksfolimit është një shenjë që po e teproni.
Ruajtja e ujit dhe ndërgjegjësimi mjedisor
Përveç përfitimeve shëndetësore për lëkurën, dushet më të shkurtra dhe më të thjeshta kontribuojnë edhe në ruajtjen e ujit. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit thekson se dushet përbëjnë gati 17% të përdorimit të ujit të brendshëm. Në një kohë kur shumë shtete përballen me thatësira, reduktimi i kohës së dushit është një përpjekje e rëndësishme për ruajtjen e burimeve ujore.
Në përfundim, mesazhi i dermatologëve është i qartë: një dush i mirë është një dush i thjeshtë, i cili respekton barrierën natyrale të lëkurës dhe ndihmon në ruajtjen e mjedisit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




