Thirrjet kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Taravari i quan skandaloze dhe të orkestruara

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

Kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari, nga Pogradeci ku zhvilloi një takim me kryetarin e bashkisë, ka reaguar ashpër ndaj thirrjeve kundër shqiptarëve, duke i cilësuar ato si skandaloze dhe të orkestruara.

I pyetur nga mediet, z. Taravari akuzoi kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski se një ditë para ndeshjes së basketbollit ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve, duke shtuar se “bota serbe” ka një ndikim të veçantë në Maqedoninë e Veriut.

“Disa ditë para ndeshjes së basketbollit në Kumanovë, kryeministri në mënyrë fyese apo ofenduese ndaj shqiptarëve fliste në parlament. Natyrisht, kjo reflektohet tek qytetarët. Qëndron edhe në raportin e Bashkimit Europian se faktikisht bota serbe ka ndërhyrë në Maqedoni dhe këto janë pasojat e funksionimit apo të inkuadrimit të botës serbe në politikat maqedonase, fatkeqësisht,” u shpreh kryetari i Aleancës për Shqiptarët.

Ndërkohë gjatë vizitës në Muzeun Kombëtar të Arsimit në Korçë, z. Taravari foli për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut dhe debatin aty.

“Ligji i fundit është në vitin 2017, kur ka përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe. Fatkeqësisht implementimi nuk është ashtu si duhet. Dua të them që gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase sikurse ishte me kushtetutën e 1974-ës, kur Maqedonia ishte republikë socialiste. Tashmë ka diferencë. Praktikisht mund të themi se gjuha shqipe definohet si gjuhë e 20-përqindëshit të popullatës që jeton. Ne mendojmë se kjo duhet të tërhiqet,” u shpreh z. Taravari.

Pas takimit në Pogradec, koalicioni “Besëlidhja e Aleancës Kombëtare për Integrim” pritet të zhvillojë takime edhe me kryetarët e bashkive të Korçës, Kolonjës dhe Pustecit.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme