Temperaturat e larta, kujdes me shëndetin! Të shpeshta problemet gastrointestinale te fëmijët
Në qendrën shëndetësore të Shtiqenit, çdo ditë deri në 20 pacientë marrin shërbim mjekësor gjatë kësaj periudhe të nxehtë verore.
Rastet më të shpeshta që paraqiten janë ato të fëmijëve, të cilët vuajnë nga probleme gastrointestinale, një pasojë kjo e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.
“Gjatë periudhës së verës kemi pasur vizita nga më të ndryshmet. Kemi pasur raste të shumta të fëmijëve me çrregullime gastrointestinale. Që në shenjat e para ju themi të paraqiten pranë qendrës shëndetësore. Pastaj mjeku e vlerëson për të dhënë ndihmën ose për ta përcjellë për në spital,” tregon infermierja Riviera Muçmata.
Ajo thotë se nuk kanë munguar as rastet me hipertension, veçanërisht tek të moshuarit, si dhe pacientë që paraqiten për pickime nga insektet, të cilat janë gjithashtu më të përhapura gjatë kësaj periudhe.
“Rastet më të rënda i kemi referuar në Spitalin Rajonal Kukës,” thotë infermierja.
Qendra shëndetësore në Shtiqen u ofron shërbim rreth 4 mijë banorëve të zonës, ndërkohë që gjatë muajve të verës, për shkak të fluksit turistik, priten edhe vizitorë që kërkojnë ndihmë mjekësore.
Gazetare: Shkurte Elezaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




