“Atlasi i Botës së Re”, publikohen fotografitë që tregojnë një të ardhme shqetësuese nga ndryshimet klimatike

Projekti fotografik “Atlasi i Botës së Re” nga artistët Edoardo Delille dhe Giulia Piermartiri po shkakton një ndjesi ndërkombëtare, duke paraqitur një realitet shqetësues të ndryshimeve klimatike. Ata kanë udhëtuar në gjashtë zona të botës të cilat janë më të ndjeshme ndaj krizës klimatike dhe kanë krijuar imazhe që kombinojnë të tashmen me skenarët e së ardhmes.
Teknika e tyre artistike, e cila projekton pamje të një realiteti të ardhshëm mbi peizazhet dhe njerëzit e tanishëm, e bën problemin të ndjeshëm dhe të prekshëm. Në Maldive, një prej vendeve më të rrezikuara për shkak të ngritjes së nivelit të detit, fotografitë tregojnë njerëz që jetojnë nën ujë, ndërsa në Kaliforni, një burrë shfaqet duke hapur frigoriferin në një kuzhinë të mbushur me flakë, duke aluduar për zjarret e pyjeve.
Fotografët u motivuan nga ideja se njerëzit e kanë të vështirë ta ndjejnë problemin e ndryshimeve klimatike. Duke e treguar atë në këtë formë vizuale, ata shpresojnë të nxisin reflektim dhe veprim.
Një nga mesazhet kryesore të projektit është se ngrohja globale nuk është demokratike. Siç vërehet në Mozambik, një vend që kontribuon me vetëm 0.22% të emetimeve globale, ndërsa vuan pasojat më të rënda, njerëzit e varfër janë ata që vuajnë më shumë dhe nuk kanë mundësi të lëvizin.
Përtej artit, Delille dhe Piermartiri shpresojnë që “Atlasi i Botës së Re” të përdoret si një manual arsimor në shkolla, duke i ndërgjegjësuar brezat e ardhshëm për urgjencën e problemit.
Ky projekt thekson rëndësinë e bashkimit të shkencës dhe artit për të komunikuar një mesazh jetik në një mënyrë të re dhe të fuqishme, duke na detyruar të përballemi me pasojat e mundshme të inercisë tonë. CNN
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.












