Sipas një sondazhi të ri, më pak amerikanë po konsumojnë alkool

Shëndet | 1 vit më parë

Një sondazh i fundit nga Gallup zbulon se një numër rekord i amerikanëve po ripërcaktojnë marrëdhënien e tyre me alkoolin. Sipas sondazhit, më pak se gjysma e popullsisë së rritur tani konsumon alkool, një shifër kjo që nuk është parë prej tre dekadash. Kjo rënie lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet në rritje rreth rreziqeve shëndetësore, madje edhe nga konsumi i moderuar.

Rreziqet shëndetësore nxisin ndryshimin

Sondazhi tregon se 53% e të rriturve në SHBA besojnë tani se pirja e moderuar e alkoolit është e dëmshme për shëndetin. Kjo është një rritje dramatike nga 28% që ishte në vitin 2015. Kjo ndjeshmëri e re ndaj rreziqeve shëndetësore është më e theksuar tek të rinjtë, por po përqafohet gjithnjë e më shumë edhe nga grupmoshat më të vjetra.

Ky ndryshim në perceptim vjen pas një morie informacionesh të reja shkencore. Në vitet e fundit, ekspertët shëndetësorë kanë theksuar prova të shumta që tregojnë se konsumi i alkoolit është një shkaktar kryesor i kancerit dhe ka ndikime negative në shëndet. Për vite me radhë, ishte konsensus se pirja e moderuar ishte e padëmshme, madje dhe e dobishme, një ide që tashmë ka ndryshuar.

Konsumatorët e alkoolit po pinë më pak

Sipas anketës, 54% e të rriturve amerikanë thonë se pinë pije alkoolike, shifra më e ulët në tre dekada. Ky trend i rënies së konsumit vërehet veçanërisht tek gratë dhe të rinjtë. Edhe ata që vazhdojnë të pinë, e bëjnë këtë më rrallë. Për shembull, vetëm rreth një e katërta e konsumatorëve të alkoolit thanë se kishin pirë në 24 orët e fundit, një shifër rekord e ulët.

Këto ndryshime po ndodhin në një kohë kur qeveria federale po përditëson udhëzimet e saj dietike për alkoolin. Përpara pandemisë, konsumi i alkoolit në SHBA ishte në rritje, por ky trend duket se ka ndryshuar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme