Dëme të mëdha nga zjarret, 133 krerë bagëti dhe mbi 600 zgjoje bletësh u dogjën në jug të vendit

Zjarret e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e blegtorisë dhe bletarisë në Shqipëri. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka raportuar se në bashkitë Delvinë, Gramsh dhe Finiq, si pasojë e flakëve, janë djegur 133 krerë bagëti dhe mbi 600 zgjoje bletësh.
Grupet e punës të ngritura nga AKVMB janë në terren për të vlerësuar plotësisht dëmet dhe për t’u ardhur në ndihmë fermerëve. Një nga prioritetet kryesore është groposja e kontrolluar e kafshëve të ngordhura për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve. Deri më tani, sipas protokolleve veterinare, janë groposur 39 krerë bagëti të imta dhe gjedh.
Dëmet sipas zonave
Fshati Sirakat, Bashkia Finiq- Një stallë me 4 viça u dogj plotësisht, si dhe 197 zgjoje bletësh.
Bashkia Delvinë- Situata mbetet e rënduar, me dëme paraprake në një fermë me 25 krerë të imta dhe 9 parqe bletësh me rreth 500 zgjoje.
Fshatrat e Gramshit- Në fshatrat Skëndërbegas, Arunas, Shëmbërdhenjë, Bletës dhe Kullollas, janë regjistruar dëme në 9 krerë gjedh, 95 krerë të imta dhe 50 zgjoje bletësh.
AKVMB u ka bërë thirrje fermerëve të bashkëpunojnë ngushtë me autoritetet për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e kafshëve të tyre. Ndërkohë, në fshatrat e Bashkisë Finiq, fermerët janë udhëzuar për hapat e sigurisë dhe evakuimin e bagëtive nga zonat e rrezikuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




