Urgjenca e Gjirokastrës, 70 vizita në 24 orë. Raste të përditshme edhe nga turistët, më shpesh gastroenterite
Pavarësisht se është muaj pushimesh, gushti është nga muajt më të ngarkuar për shërbimin e urgjencës në spitalin e Gjirokastrës. Rastet që paraqiten për të kërkuar ndihmë janë nga më të ndryshmet që nga gastroenterit, që janë të zakonshme për këtë stinë, e deri tek aksidentet duke e çuar në 70 numrin e vizitave në 24 orë.
“Gjatë këtij muaj ka shumë gastroenterite, helmime ushqimore, alergjira, pastaj shto dhe aksidentet në rrugë nga rritja e trafikut. Po ashtu, edhe nga temperaturat e larta, një pjesë e të sëmurëve kronikë kanë përkeqësim”, tha mjeku Bledar Çela.
Derës së madhe të urgjencës përditë i drejtohen edhe turistë, të cilët sipas problematikave që kanë, marrin shërbim, por janë shënuar edhe raste kur janë dërguar drejt kryeqytetit.
“Edhe ata si qytetarët shqiptarë kanë shqetësime nga më të ndryshmet, nga problematikat më të lehta e deri te ato më të rënda. Një pjesë i kemi transferuar edhe në Tiranë, pasi një pjesë e turistëve janë mosha të treta dhe kur vijnë këtu paraqesin përkeqësim të situatave, ndonëse ata janë përpjekur të kujdesen dhe kanë terapinë e duhur”, shtoi mjeku.
Apeli që vjen nga bluzat e bardha të këtij shërbimi për banorët e Gjirokastrës është që të zbatojnë sistemin e referimit, duke shkuar së pari te mjeku i familjes, me qëllim përballimin e fluksit të rritur në këto ditë vere.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




