Lezhë – Promovohet libri i Pjetër Gjok Markut, “Pajtimi, mision i shenjtë kombëtar”

Kulturë | 1 vit më parë

Fenomeni i gjakmarrjes dhe përpjekjet për tejkalimin e tij janë trajtuar në librin më të ri të misionarit të pajtimit, Pjetër Gjok Marku.

Botimi i titulluar “Pajtimi, ky mision i shenjtë i kombit” u promovua në Lezhë, përmes një aktiviteti ku morën pjesë autoritete vendore, misionarë të pajtimit, miq dhe dashamirës të librit.

Të pranishmit vlerësuan kontributin e Markut në procesin e pajtimit të gjaqeve, duke theksuar rolin e tij të pandërprerë në ndërtimin e urave të paqes mes familjeve të përfshira në konflikte.

“Rasti i Pjetrit dhe rasti i shumë të tjerëve është një rast për t’u mbështetur, promovuar dhe për të qenë bashkë në një mision i cili nuk është i lehtë,” tha kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu.

“Mund të them që është një thesar i gjithë veprimtarisë politike, shoqërore dhe kulturore, për t’i bërë mirë jo vetëm shqiptarëve, por edhe rajonit,” tha Gjin Marku, Kryetar i Misionit të Pajtimit të Gjaqeve.

Në fjalën e tij, autori u shpreh se ky mision fisnik nuk do të kishte qenë i suksesshëm pa mbështetjen dhe bashkëpunimin e shumë njerëzve të tjerë, të cilët kanë dhënë kontribut në procesin e pajtimit.

“Pa bashkëpunëtorë nuk do të kisha mundur të bëja asgjë. Kemi punuar si ekip,” u shpreh autori i librit.

Prej tri dekadash, Pjetër Gjok Marku është një nga figurat më të njohura të kësaj fushe, duke qenë protagonist në dhjetëra raste pajtimesh, jo vetëm në Qarkun e Lezhës, por edhe më gjerë në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme