Raportimi i vetëvrasjeve dhe kronika “delikate”, takim i medieve me shoqërinë civile për kujdesin në termat e përdorur

Shëndet | 1 vit më parë

Menaxhimi i rasteve, kur pjesë e raportimeve në medie janë ngjarje që kanë të bëjnë me probleme të shëndetit mendor, e që përfundojnë në vetëvrasje, shpesh kthehen në diskutim edhe radaksional për mënyrën sesi lajmi duhet të tejçohet tek publiku.

Në një takim të organizuar nga Aleanca kundër Depresionit, që bëri bashkë gazetarë të disa medieve, u diskutua për rolin e tyre në uljen e sa më shumë rasteve fatale.

Psikologja Arlinda Cerga Pashoja, kërkuese shkencore në çështje të shëndetit publik, flet për gjuhën neutrale që duhet të përdorur si manual raportimi.

“Raportet mbi vetëvrasjen nuk duhet të jenë sensacionale. Duhet të japin fakte, por pa përmendur, sidomos mënyrën e aktit, vendet se ku ata ndodhen dhe ku ka ndodhur ngjarja. Është shumë e rëndësishme që të përdoren fjalë të caktuara që nuk i japin heroizëm ose romanticizëm ngjarjes, dhe gjithmonë duhet të përfundojnë me burimet e ndihmës. Efekti Papageno tregon se kur media raporton në mënyrë të përgjegjshme dhe fokusohet në historitë e shpresës, sidomos për sa i përket shëndetit mendor, ka një përmirësim të shëndetit mendor dhe ulje të numrit të vetëvrasjeve,” thotë Prof. Pashoja.

Shqipëria, si pjesë e Aleancës kundër Depresionit që prej themelimit të saj një vit më parë, përfshin në një medium të gjerë diskutimi edhe ekspertë nga fusha të tjera.

“Shqipëria është pjesë e një studimi që quhet MENTBEST. Do të zgjasë pesë vite dhe do të mbulohet nga Komisioni Europian. Një ndër aktivitetet e këtij studimi është ndërhyrja në katër nivele për të parandaluar depresionin, me synimin final parandalimin e vetëvrasjeve. Ndërhyrjet që po realizohen dhe që do të realizohen në të ardhmen targetojnë grupe të ndryshme profesionistësh, mjekë dhe infermierë, që punojnë çdo ditë me pacientë; psikologët ose stafin psiko-social, që punojnë në shkolla, në qendra shëndetësore; dhe përtej këtyre, edhe profesionistë që nuk janë të lidhur direkt me fushën e shëndetit, por janë pjesë e shëndetit në përgjithësi,” shprehet Gentiana Qirjako nga Fakulteti i Mjekësisë.

Nën moton media shpëton jetë, ky trajnim synon të çojë në parandalimin e sjelljeve të vetëvrasjes, kur rreziku i imitimit është mjaft i madh.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme