Përbërësit farmaceutikë duhen kontrolluar, Haloci: Universiteti i Mjekësisë po formulon pomadat e para antibakteriale
Përgatesat farmaceutike, si kremra, pomada, çajra, vajra etj., që vijnë si formulime të vetë farmacistëve falë njohurive që ata kanë fituar, janë produkte që tregtohen masivisht në vendin tonë ndonëse nuk kanë asnjë certifikim apo siguri për funksionet terapeutike për të cilat ato reklamohen.
Pedagogia e shkencave farmaceutike, Entela Haloci, thotë për RTSH se ka ardhur koha që këto produkte t’i nënshtrohen analizave me qëllim që popullata të marrë një produkt të certifikuar.
“Ne shohim në rrjetet sociale shumë operatorë dhe njerëz që reklamojnë barna, forma farmaceutike të përgatitura vetë, që në fund të fundit nuk kanë një certifikatë. Qëllimi ynë është që të sensibilizojmë si fillim, që gjithë formulimet që përgatiten nga operatorë të ndryshëm, qoftë bimor, farmaceutik apo formulime të momentit, që ne i quajmë formulime të farmacisë galenike, të kalojnë në një proces certifikimi. Kjo do të ishte një garanci shtesë për të gjithë konsumatorët. Normal që për këtë do të duhet një proces dialogimi dhe rregullimi ligjor, ama do të jetë një nga objektivat tanë, që do të duam ta arrijmë,” thotë Prof. Haloci.
Paralelisht me laboratorin e referencës që po ngrihet në Universitetin e Mjekësisë, një grup kërkimor i Fakultetit, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKSHI), ka formuluar për herë të parë disa pomada antibakteriale dhe antimykotike pa prezencë antibiotikësh, të cilat janë proces patentimi.
“Nëpërmjet mekanizimit të financimit nga AKSHI kemi arritur që të formulojmë disa pomada dhe hidroxhele, të cilat përdoren në rastet e infeksioneve bakteriale dhe mykotike dermatologjike të menaxhueshme në fazat e para të sëmundjes. Këtë e kemi bërë sepse shpesh pacientët përdorin antibiotikë. Ky është një alarm i madh në OBSH. Përdorimi i antibiotikëve duhet të shmanget totalisht. Alternativa që i ofrojmë të gjithë popullsisë dhe pacientëve, së pari, është që të tentojmë të provojmë një formulim farmaceutik që ka rezultuar me aktivitet antibakterial dhe antimykotik të krahasueshëm me disa nga antibiotikët dhe antimykotikët që kemi testuar. Kjo do të çojë në uljen e përdorimit të antibiotikëve. Nga ana tjetër, duke pasur laborator referencë, do tëmundemi ta certifikojmë. Certifikimi do të fillojë në nivel kombëtar dhe pse jo, më tutje, në nivel ndërkombëtar,” shprehet studiuesja e shkencave farmaceutike.
Këto produkte do të jenë të parat në treg si të regjistruara dhe të certifikuara më pas nga laboratori i referencës me pronësi industriale të vetë stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë.
Procesi i certifikimit të produkteve galenike kërkon dialogim dhe rregullim ligjor, me qëllim që në farmacitë tona të mos tregtohen më formulime të pakontrolluara nga elementët e sigurisë dhe terapisë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




