Dita e Dhënies së Ndihmës së Parë, më shumë interes për t’u trajnuar në Shkodër

12 Shtatori njihet si Dita Botërore e Dhënies së Ndihmës së Parë. Qëllimi kryesor është sensibilizimi i popullatës mbi rëndësinë e dhënies së ndihmës së parë.
Në situata emergjente, njerëzit e zakonshëm shpesh mundet dhe duhet të japin ndihmën e parë për të shpëtuar jetën e dikujt. Interesi për të ndjekur kurse pranë Kryqit të Kuq, dega Shkodër, është vazhdimisht në rritje.
“Vihet re një ndërgjegjësim shumë i madh i popullatës për dhënien e ndihmës së parë, pasi tashmë e kanë kuptuar sa e rëndësishme është ajo në momentin e parë që ka ndodhur ngjarja. Sa më shpejt të jepet ndihma e parë, aq më efikas është shpëtimi i jetës së njeriut,” thotë instruktorja e Kryqit të Kuq, Lunada Hamzi.
Fatkeqësisht rritja e aksidenteve rrugore apo edhe e traumave të ndryshme jetësore rrit nevojën për më shumë informacion të specializuar.
“Raste të shtuara ka, sepse përditë aksidentet janë nga më të ndryshmet, por unë dua të theksoj se nuk ka vetëm aksidente rrugore. Dhënia e ndihmës së parë merr një vlerë shumë të rëndësishme edhe në aksidentet e përditshme në shkolla, në kushte shtëpie, në kushte pune, në rastet e prerjeve, djegieve; një ënjtje gjuhe, që ndodh shumë shpesh, por ka shumë faktorë që e shkaktojnë. Kështu që ne jemi të kënaqur që ka ndikuar sadopak. Edhe vetë personat, kur realizojnë trajnime të ndryshme në fund e thonë që tani e kuptojnë edhe rëndësinë e dhënies së ndihmës së parë,” tregon znj. Hamzi.
Gjatë fundjavës pritet të ketë aktivitete të ndryshme, përfshirë edhe maratonën e së dielës, ku Kryqi i Kuq, dega Shkodër, do të jetë pjesë.
Gazetare: Merisa Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




