Virozat rrisin numrin e pacientëve, mbi 120 persona në 24 orë në urgjencën e Spitalit të Kukësit
Muaji shtator ka sjellë një rritje të ndjeshme të numrit të pacientëve që kërkojnë shërbim mjekësor në Spitalin Rajonal të Kukësit.
Shkak për këtë situatë janë luhatjet e temperaturave, të cilat shoqërohen me viroza të stinës.
“Ka një fluks të shtuar të pacientëve që vijnë në Urgjencën e Spitalit të Kukësit për të kërkuar ndihmë mjekësore. Kjo ka ndodhur kryesisht nga luhatjet e temperaturave, ulja e tyre e menjëhershme në orët e natës dhe të mëngjesit, dhe pastaj nga dreka kemi një ngritje të madhe të temperaturave,” tregon Dr. Emin Ferati.
Mjeku i Spitalit të Kukësit shpjegon se simptomat më të përhapura janë kolla dhe temperatura, ndërsa më të prekurit mbeten fëmijët dhe të moshuarit.
“Zakonisht shoqërohen me vështirësi në frymëmarrje, temperaturë, kryesisht te moshat pediatrike, por edhe te moshat e dyta dhe të treta,” tregon ai.
Dr. Ferati apelon tek prindërit që të tregojnë kujdes të shtuar në veshjen e fëmijëve, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, kur temperaturat ndryshojnë më shumë.
“Në mëngjes dhe në darkë duhet të vishen sa më mirë që ta përballojnë, për shkak se ata imunitetin e kanë shumë më të dobët se moshat e rritura,” këshillon mjeku.
Ai shton se deri në muajin tetor pritet që situata të mbetet e ngarkuar nga përhapja e virozave.
“80–90 të sëmurë janë të rritur dhe 40–50 të sëmurë janë të moshës pediatrike. Një pjesë edhe janë shtruar, kryesisht mosha pediatrike,” thotë Dr. Ferati.
Në raste të tilla, kur fluksi i pacientëve është i lartë, Spitali i Kukësit angazhon edhe staf shtesë për të përballuar situatën dhe për të garantuar shërbim në kohë.
Gazetar: Dashmir Shehu
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




