Interes shumë i lartë për vaksinën e gripit, çdo qytetar mund të vaksinohet në qendrën më të afërt

Shëndet | 1 vit më parë

Ka vetëm dy ditë që ka nisur fushata e vaksinimit falas ndaj gripit. Përthithja e dozave në qendrat shëndetësore nga pacientët e interesuar dhe grupet në risk duket e lartë.

“Interesimi dhe fluksi ka qenë shumë i madh,” tha Blerta Berberi, drejtore e Qendrës Shëndetësore nr. 8.

“Sa e dëgjuam që ka ardhur vaksina, erdhëm menjëherë! [Gazetarja pyet: Si ndiheni çdo dimër?] Asnjë problem! Vetëm kur të kap një çikë gripi, jo rëndë, e kaloj shumë lehtë. Kjo më ndihmon shumë,” u shpreh një qytetar.

“Që përpara se të binte ‘korona’ jemi vaksinuar vazhdimisht, sepse unë kam edhe probleme me diabetin, hipertensionin,” tregoi një tjetër qytetare.

Risia këtë vit është jo vetëm rezervimi i datës dhe i orës në portalin e-Albania, por kushdo mund të kryejë vaksinën në qendrën shëndetësore më të afërt.

“Pra, një pacient apo qytetar, edhe pse nuk banon në këtë njësi, është i mirëpritur për të kryer vaksinën ndaj gripit në qendrën tonë apo në një qendër tjetër që mund ta ketë afër banesës së tij,” tha Dr. Berberi.

Ndërsa një pacient po vaksinohej për herë të dytë ndaj gripit në qendrën shëndetësore, ai kërkoi që vaksina t’i aplikohej në banesë bashkëshortes së tij të diagnostikuar me Parkinson.

“Nëpërmjet mjekut të familjes, merr një rekomandim me diagnozën që ka pacienti dhe normalisht në një ditë të caktuar shkojnë infermierët dhe ia bëjnë në banesë,” u shpreh kryeinfermierja Rovena Gjika.

Vaksina ruhet në kushte optimale frigoriferike dhe aplikohet nga personeli i trajnuar. Prioritet janë grupet në risk.

“Pacientët me sëmundshmëri kronike, kryesisht me probleme kardiovaskulare, probleme respiratore, çrregullime metabolike, diabetin mellitus, probleme renale, proceset malinje dhe sëmundje të tjera të ndryshme,” tha Dr. Berberi.

Jemi vetëm në fillim të sezonit të infeksioneve respiratore. Vaksinimi në kohë ndaj gripit mbron nga format e rënda të sëmundjes dhe minimizon vdekjet.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme