AKU bllokon tre ngarkesa me fruta të importuara nga Greqia dhe Italia me pesticide mbi normën e lejuar

Shëndet | 1 vit më parë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bërë të ditur se ka bllokuar tre ngarkesa me fruta të importuara, pasi kontrollet zyrtare zbuluan praninë e pesticideve në nivele më të larta se norma e lejuar, duke paraqitur rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Në dy prej rasteve, ngarkesat me rrush dhe pjeshkë vinin nga Greqia, ndërsa një ngarkesë tjetër me rrush ishte importuar nga Italia.

Detajet e ngarkesave të bllokuara

Për rrushin e importuar nga Greqia është konstatuar prania mbi normë e pesticidit Propamocarb në një ngarkesë me rrush të kuq francez. AKU ka bllokuar dhe ka nisur procedurat për asgjësimin e sasisë së konstatuar.

“Pjeshkët e importuara nga Greqia rezultuan me praninë mbi normë të pesticidit Phosmet. Kompania importuese është njoftuar të tërheqë produktet nga tregu, nëse i ka ende në gjendje, dhe t’i asgjësojë.”, thuhet në njoftimin për shtyp të AKU-së.

Ndërsa një ngarkesë me rrush tavoline të varietetit “Red Globe”, e importuar nga Italia, u bllokua në Pikën e Inspektimit Kufitar në Durrës, pasi rezultoi me mbetje të pesticidit Bitertanol. Sasia e importuar nuk është lejuar të shpërndahet në treg dhe do të asgjësohet.

Për të gjitha rastet, AKU ka njoftuar kategorinë e Njoftimeve të Sistemit të Paralajmërimit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin e Kafshëve (RASFF), duke siguruar transparencë dhe koordinim me autoritetet ndërkombëtare. Këto veprime synojnë të mbrojnë konsumatorin shqiptar nga produktet që nuk plotësojnë standardet e sigurisë ushqimore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme