Raste me kovid, por nuk zgjidhet vaksinimi. Në Shkodër, qytetarët të interesuar vetëm për vaksinën antigrip
Në fluksin e pacientëve të prekur nga virozat e stinës, që i drejtohen Urgjencës së Spitalit të Shkodrës, qendrave shëndetësore apo poliklinikës së qytetit, nuk janë të rralla edhe rastet e personave që rezultojnë të infektuar me COVID-19.
Shefi i repartit të Urgjencës në Spitalin e Shkodrës, Ardian Dajti, bën me dije se për të gjitha rastet e dyshuara janë kryer testimet përkatëse dhe disa prej tyre kanë rezultuar pozitivë.
“Ka shfaqje të rasteve me kovid, të cilat janë diagnostikuar me tamponë. Karakteristikë e tyre është që përgjithësisht janë raste me klinikë më të zbutur, pra, nuk janë raste me problematika të rënda. Ata që janë thjesht me klinikë të virozave trajtohen për gjendjen fibrile nga mjekët infeksionistë në qoftë se ka komplikacione ose përfshihet komponenti pulmonar,” tregon Dr. Dajti.
Megjithatë, pavarësisht rasteve të evidentuara me COVID-19, interesimi i qytetarëve për marrjen e vaksinës antikovid është thuajse inekzistent, edhe pse ajo ofrohet ende në të gjitha qendrat shëndetësore të qytetit.
“Duke pasur eksperiencën e vitit të kaluar, mund të kemi pasur ndonjë kërkesë rreth 4–5 deri në 10 persona, kurse për këtë vit, deri në këto momente, nuk ka asnjë kërkesë për vaksinën e kovidit, pavarësisht se ne e kemi në gjendje dhe jemi të gatshëm t’ua ofrojmë personave që kanë dëshirë të vaksinohen kundër kovidit,” thotë kryevaksinatori Arben Xhabija.
Ndërkohë, vaksina më e kërkuar nga qytetarët mbetet ajo kundër gripit sezonal. Fushata e vaksinimit ka nisur në fillim të kësaj jave dhe deri tani e kanë marrë rreth 1.500 persona, kryesisht mbi moshën 60 vjeç.
Gazetar: Adrian Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




