Zemra nuk fal as të rinjtë, stili i jetesës dhe indiferenca në kontrolle, shkak për sëmundjet kardiake

Shëndet | 1 vit më parë

Sipas statistikave zyrtare, mbi 50 për qind e vdekjeve në vendin tonë kanë si shkak sëmundjet kardiovaskuare.

Kjo vjen si pasojë e përkeqësimit të faktorëve të rrezikut, siç janë yndyrat e larta në gjak, hipertensioni, diabeti dhe duhani, të cilat konsiderohen nga mjekët si vrasës të heshtur.

“Një në dy veta që humbet jetën sot në botë vdes nga zemra. Kjo është një kambanë botërore, e cila praktikisht na vendos të gjithëve përballë një situate të vështirë,” shprehet Taulant Gishto, kardiokirurg në QSUT.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 47 për qind e shqiptarëve vuajnë nga hipertensioni, numër ky më i lartë se mesatarja botërore prej 34 për qind. 20 gjene në trupin tonë janë përgjegjës për hipertensionin, çka do të thotë që nuk i modifikojmë dot, por stilin e të jetuarit, po.

“Hipertensioni është një sëmundje e heshtur, e cila në 50 për qind të rasteve vjen pa ankesa, pa dhimbje koke, pa marrje mendsh, pa zhurmë në vesh, pa humbje ekuilibri, ndërsa 50 për qind e pacientëve të tjerë janë me një ose disa nga këto shenja, çka i bën t’i orientohen kardiologut.

Çdo individ që ka një trashëgimi me hipertension tek prindërit apo familjarët e vet duhet të punojë fuqishëm te modifikimi i faktorëve të tjerë, që janë të modifikueshëm, siç është stili i jetesës,” thotë Dr. Gishto.

“Njerëzit duhet të interesohen më herët sesa shfaqen këto simptoma, sepse shfaqja e simptomave ndodh kur ngushtimi i enëve është mbi 75 për qind,” thekson kardiologia Engjellushe Hasani nga Poliklinika nr. 3.

Në parësor, mjekët konstatojnë se pacientët shpesh nuk zbatojnë mjekimin siç duhet.

“Ajo që vëmë re është që nuk zbatohet protokolli i mjekimit i vendosur nga specialisti ose bëhet në mënyrë të gabuar nga vetë individi,” thotë Dr. Hasani.

Por zemra nuk po fal as moshat shumë të reja. Stili plot vese i jetesës është shkaku kryesor.

“Në vizitat që bën në ambulator mund të shikosh që ke po aq të rinj sa ke të moshuar,” shton Dr. Gishto.

“Po shohim që të rinjtë punojnë me orare të zgjatura. Nuk bëjnë aktivitet fizik mjaftueshëm. Gjithashtu abuzojnë me drogat ose me duhanpirjen në mosha shumë të vogla,” tregon Dr. Hasani.

Kontrollet e rregullta dhe stili i shëndetshëm e jetesës mund të parandalojnë 80 për qind të vdekjeve të hershme nga sëmundjet kardiovaskulare.

“Stili i jetesës është stili pa kripëra. Çdo ushqim me përmbajtje kripe duhet të eliminohet. Pa yndyra dhe sa më pak brumëra, çka ndihmon në rënien nga pesha. Ecja dhe aktiviteti fizik është fundamental,” thekson kardiologu Gishto.

Gazetare: Sonila Mlloja

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme