Stina e virozave, mjekja Çomo apelon: Mos i nënvlerësoni simptomat, mund të fshehin komplikacione më serioze

Shëndet | 1 vit më parë

Në një deklaratë për situatën aktuale shëndetësore, në emisionin ”Mirëmëngjes Shqipëri” mjekja infeksioniste, Najada Çomo ka ngritur shqetësimin për rritjen e infeksioneve që po qarkullojnë të cilat sikurse ajo thotë prekin disa organe nga truri, mushkëritë, te sistemi tretës dhe lëkura.

Ajo thekson se simptomat e lehta sikurse temperaturë, diarre apo dhimbje veshi, që shpesh i konsiderojmë si “virozë e zakonshme”, mund të fshehin komplikacione më serioze. Ndaj nëse nuk i vlerësoni vetë simptomat, duhet t’i vlerësojë mjeku, është apeli i saj drejtuar qytetarëve për të mos neglizhuar asnjë ankesë shëndetësore.

“Në situatën aktuale ka shumë infeksione, të cilat prekin shumë organe, duke filluar nga truri, të cilat janë në listat e para për nga pasojat që sjellin. Preken mushkëria, bajamet, zemra dhe lëkura, e shoqëruar me temperaturë të lartë. Është pjesa e syve, veshit, sinuseve dhe sigurisht trakti i tretjes, me të vjella, dhimbje stomaku, temperaturë dhe diarre. Këto janë sëmundje që vijnë pas asaj që e themi “virozë”. Brenda këtyre simptomave, pak temperaturë, diarre, dhimbje veshi e të tjera ka diçka të thjeshtë, siç thonë njerëzit, por pas tyre ka diçka jo të thjeshtë, që është e vështirë për stafin mjekësor. Brenda këtyre, vëmendja duhet të jetë pak më e lartë.

Sigurisht, pirja e një çaji apo një bari është normale, por jo gjithmonë mjafton me aq. Ka një kufi që ti vetëmjekohesh, por nëse ka gjëra që nuk i vlerëson, atëherë i vlerëson mjeku. Atëherë them: vlerësoni çdo lloj ankese që keni dhe mos u vetëmjekoni nëse situata është e rënduar”, thotë mjekja.

Mjekja infeksioniste Najada Çomo pohon se COVID-19 vazhdon të qarkullojë në komunitet, dhe shumica e pacientëve e kalojnë atë në kushte shtëpie, pa nevojë për hospitalizim. Megjithatë, një pjesë e pacientëve përfundojnë në spital, edhe pse jo të gjithë në gjendje të rëndë.

Sipas Dr. Çomos, sfida kryesore nuk është vetëm virusi në vetvete, por ndikimi që ai ka në protokollet ekzistuese të mjekimit. Kjo mund të përkeqësojë gjendjen dhe të prishë skemat e trajtimit, duke e bërë menaxhimin më të vështirë.

Ndaj mjekja thekson se pacientët me sëmundje kronike këshillohen të jenë më të kujdesshëm dhe të konsultohen me mjekun e tyre sapo të shfaqin simptoma të COVID-19, për të parandaluar komplikimet.

“Që COVID-i qarkullon është e padiskutueshme dhe që shumica e kalon në kushte shtëpie, edhe kjo është e padiskutueshme. Një pjesë që janë në spitale, janë jo rëndë, por ka raste. Vërtet je duke kaluar jo rëndë, por them që kur të hyn COVID-i në një sëmundje kronike, të prish ekuilibrat e sëmundjes që je duke kuruar. Jo vetë COVID-i në vetvete, por prish ekuilibrat dhe cenon protokollet e mjekimit, të cilat agravojnë situatën dhe prishin skemat e mjekimit”, thekson mjekja.

Mjekja sugjeron se para se të shkohet në QSUT që ka një dyndje të jashtëzakonshme, është e rëndësishme të ndjekësh hallkën ku duhet shkuar. “Urgjencat janë për të përballuar raste që janë në vështirësi gjatë natës”, nënvizon ajo.

Grupmosha që është më e shtruar është ajo e re, por sipas mjekes kjo nuk do të thotë se nuk është një përçues i infeksionit edhe brenda familjes. Mbrojtja më e mirë sipas doktoreshës është mungesa e përqafimeve, dhënieve të dorës, sidomos me ata që janë në trajtim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme