Brataj: COVID është bërë sezonal dhe më i lehtë, më shqetësues është gripi. Vaksinat, “ushtria” që na mbron nga viruset
Me ftohjen e motit, rikthimi i sezonit të viruse kanë rritur rastet me grip dhe COVID, që paraqiten te mjeku i familjes në të gjithë vendin. Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, në një intervistë për emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH, tha se COVID nuk është zhdukur kurrë, por ka qenë gjithmonë prezent dhe aktivizohet në periudha të caktuara.
Sipas tij, varianti Omicron mbetet më i përhapuri, ndërsa COVID është kthyer në një sëmundje sezonale, me forma të lehta që nuk kanë shkaktuar komplikacione serioze.
Brataj tha se në këtë periudhë më shqetësues mbetet gripi se sa COVID që po kalon në forma më të lehta. Ai theksoi se grupet më të rrezikuara mbeten fëmijët 0–4 vjeç, të moshuarit dhe personat me sëmundje bashkëshoqëruese.
“COVID-i nuk iku dhe erdhi por ka qenë gjithmonë prezent, ka momentet e aktivizimit. Omicroni është varianti i fundit i COVID me nëntipat e veta. COVID është kthyer në sezonal dhe këtë vit mua më shqetëson më shumë grupi se sa COVID. COVID është një nga format më të lehta nuk ka shkaktuar asnjë komplikacion. Fashat në rrezik fëmija 0-4 vjeç nuk e ka prekur akoma këtë lloj virusi dhe mosha e tretë dhe ato me sëmundje bashkëshoqëruese ku imuniteti ka rënë këto sjellin pasoja”, tha Brataj.
Duke u ndalur te vaksinimi, Brataj tha se pavarësisht skepticizmit, vaksinat kanë shërbyer për imunizimin e popullsisë. Ai këshilloi përdorimin e vaksinave për grupet më të ekspozuara, si mjekët, infermierët, edukatorët si dhe grupet e rrezikuara të popullsisë.
“Me gjithë publicitetit negativ që iu bë vaksinës gjatë periudhës së COVID njerëzit vijojnë të jenë të trembur, por duhet të kuptojnë se përmes vaksinës u bë imunizim i popullsisë. Vaksina janë një ushtri që ti e merr dhe e ke rezervë. Skepticizmi ndaj vaksinave është rezultat i informacionit të tepërt nga të gjitha anë dhe të pafiltruar, ku predominon negativi. Nëse thua jo mjek, jo vaksinë, jo ilaçe, shko te mekaniku. Është mungesë kulture. Situata është normale në këtë periudhë nuk janë rritur rastet me grip në vendin tonë dhe predominon COVID me simptomat e para mund ta kalosh në banesë pasi dhe trajtimi do jetë simptomatik. Vaksinat janë të këshillueshme për fashat që thamë, e para janë personeli i mjekëve dhe infermierëve pasi janë në shërbim të sëmurëve, edukatorët dhe kush është shërbim publike në masë”, tha Brataj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




