“Tetori Rozë”, Tomini apel grave dhe vajzave: Depistimi bëhet gjatë gjithë vitit, mbijetesa varet nga kapja në kohë

Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Eugena Tomini, në një intervistë për RTSH 24, në kuadër të fushatës “Tetori Rozë”, theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit, ndërsa shtoi se sensibilizimi nuk duhet të kufizohet vetëm në këtë muaj, por të jetë pjesë e angazhimit të përvitshëm të sistemit shëndetësor.
Ajo shtoi se në 4–5 vitet e fundit janë kryer rreth 25,000 depistime në vit për të identifikuar rastet e hershme të kancerit të gjirit.
“Tetori rozë është një peshë e madhe familjare, shoqërore dhe i përgjegjësisë së sistemit të shëndetësisë ndaj sëmundjes së shekullit por dhe një përgjegjësi e madhe, kur i gjithë zinxhiri duhet të jetë në shërbim të gruas. Është shumë e rëndësishme që të mos jetë vetëm tetori rozë për kapjen e hershme të kancerit, por depistimi dhe ndërgjegjësimi duhet të jetë gjatë gjithë viti dhe programi kombëtar për parandalimin e kancerit të gjirit vijon çdo javë të kryej depistime aty ku aksesi është më i limituar. Ne kërkojmë të depistojmë më shumë dhe në 4-5 vitet e fundit jemi në nivelin e rreth 25 mijë depistimeve në të gjithë vitin për kapjen e hershme e kancerit të gjirit”, u shpreh Tomini.
Tomini u ndal te fenomenet që e pengojnë kapjen në kohë të sëmundjes, duke përmendur hezitimin e grave dhe vajzave si dhe stigmën që i shoqëron për terapitë ndaj kancerit të gjirit. Kjo, tha Tomini, çon në diagnostikim të vonë, ku rezultatet nuk do të jenë të mira.
Gjatë vitit 2024, u raportuan 805 raste të reja të kancerit të gjirit, ku grupmosha më e prekshme ishte 50–70 vjeç. Tomini tha se në dekadën e fundit rastet në këtë fashë janë rritur me rreth 2.1 %, ndërsa raste te gratë nën 50 vjeç janë ulur në rreth 1.9 %.
“Hezitimi i grave për të kryer ekzaminimet ndodh për arsye të ndryshme, që shpesh ky hezitim dhe stigma që kanë ndaj terapive çon në kapjen shumë vonë të sëmundjes dhe rezultati më pas nuk është ai që pritet. Gjatë 2024 kemi 805 raste të reja me kancer gjiri, ku fasha 50-70 vjeç është mosha më e prekur dhe vetëm një përqindje e vogël është në moshë më të re. Me rritjen e moshës së popullsisë rrisku progreson, por pas moshës 70 fillon të bie kurba e kancerit të gjirit.
Në 10 vitet e fundit kemi në rritje me 2.1 % të rasteve në fashën 50-70 vjeç dhe nën fashën 50 kemi një zbritje, ku është në 1.9 % të rasteve të hasura. Pra kemi një sensibilizim të grave. Sa i përket vdekshmërisë kemi një qëndrueshmëri por synimi është që kurbat të jetë në rënie. Strukturat e shëndetësisë po punojnë për përmirësim të sistemit onkologjik në Shqipëri”, u shpreh zv.ministrja.
Tomini theksoi se përveç depistimit, faktorët e stilit të jetesës, stërvitja fizike, ushqyerja e shëndetshme dhe shmangia e duhanit dhe alkoolit, luajnë rol të rëndësishëm në parandalimin, megjithëse nuk mund të eliminojnë tërësisht faktorët gjenetikë.
“Nuk mund të shmanget faktori gjenetik dhe monitorimi është një element thelbësor që kur kapet në kohë edhe rezultatet do jenë shumë pozitive”, tha Tomini.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




