Mposhti kancerin e gjirit, mjekja rrëfen betejën e fituar me këtë sëmundje

Shëndet | 1 vit më parë

Rajmonda Sinani, mjeke e përgjithshme në Gjirokastër, në vitin 2016 u përball me një nga diagnozat më të vështira për çdo grua, kancerin e gjirit. Megjithatë, ajo zgjodhi të përballet me këtë sfidë me forcë dhe buzëqeshje.

Sot, Rajmonda është plotësisht e shëruar dhe ndan historinë e saj për të dhënë shpresë dhe kurajë për të gjitha gratë që po kalojnë një situatë të ngjashme.

“Unë e kam zbuluar me vetëkontroll pastaj me eko e mamografi. Ishte në fazën e hershme dhe duket se kur diagnostikohesh me një sëmundje të tillë sikur mbaron jeta por nuk është ashtu. Unë ia them pacientëve të mi që çdo gjë sa më herët të kapet ka shpresë”, u shpreh mjekja.

Diagnoza ishte e rëndë, por pjesa më e vështirë ua ishte si t’ua komunikonte këtë familjarëve.

“Më dhimbtë përbrenda që duhet të jepja një lajm të tillë. Të tërë u mërzitën por me optimizmin time u jepja forcë edhe atyre”, tha ajo.

Për Rajmonda Sinanin, forca për ta përballuar sëmundjen erdhi nga dashuria dhe mbështetja e familjes, përkushtimi në punën e saj si mjeke, dhe kolektivi që i qëndroi pranë në çdo hap të kësaj beteje. Sot, ajo ka një mesazh të fuqishëm për të gjitha gratë dhe jo vetëm për to.

“Zbulimi i hershëm bën diferencimin. Parandalimi është forca jonë. Shumë gra që e kanë zbuluar që në fillimet e tyre dhe unë bashkë me to, sot janë të shëndetshme dhe realizojnë ëndrrat e tyre. Kontrolli nuk është fundi, por shpresa e madhe”, tha ajo.

Kontrollet periodike, vetëkontrolli dhe vizitat te mjeku janë mënyra më e mirë për të shmangur jo vetëm pasoja shëndetësore, por edhe ato emocionale dhe ekonomike që sjell një diagnozë e tillë thotë mjekja.

Gazetare L. Koçiu  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme