Plagoset kandidati i BDI në Likovë, 43-vjeçari është jashtë rrezikut për jetën  

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

Një nga kandidatët e Bashkimit Demokratik për Integrim për zgjedhjet lokale në komunën e Likovës  në Maqedoninë e Veriut u plagos me armë zjarri, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën. Ministri e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftoi se i plagosuri është Zekirija Shaini, 43 vjeç, kryesues i listës së këshilltarëve të BDI-së në Likovë për zgjedhjet e 19 tetorit.

Sipas saj ai u qëllua nga persona që lëviznin me një automjet në një kryqëzim në Kumanovë. Ndërsa  Prokuroria Publike pasi njoftoi se ka nisur hetimet, tha se të dhënat paraprake tregojnë se nuk ka motive politike pas incidentit të armatosur. “Po verifikohen të gjitha rrethanat”– thuhet në reagimin e saj.

Partia shqiptare në opozitë Bashkimi Demokratik për Integrim reagoi menjëherë pas incidentit, duke e dënuar ashpër sulmin ndërsa bëri thirrje për reagim urgjent nga institucionet shtetërore. BDI që kryeson edhe koalicionin Aleanca Kombëtare për Integrim në zgjedhjet e 19 tetorit, u bëri thirrje mbështetësve dhe qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Edhe VLEN, koalicioni shqiptar në bashkëqeverisje në Maqedoninë e Veriut reagoi për ngjarjen.

“Dënojmë çdo formë dhune dhe apelojmë për qetësi, maturi dhe respektim të institucioneve kompetente për hetimin e ngjarjes. Dhuna nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe asnjë rrethanë nuk mund të justifikojë aktet që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e qytetarëve.” -thuhet në reagimin e VLEN.

Incidenti ndodhi dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, të planifikuara për 19 tetor, ndërsa subjektet politike janë duke zhvilluar fushatën elektorale.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme