Rritet numri i rasteve me HIV/AIDS në Shqipëri – Ekspertja: Sëmundja po përhapet në heshtje, testimi specifik i domosdoshëm për diagnostikim të hershëm

Shëndet | 12 muaj më parë

Shqipëria po përballet me një rritje të rasteve me HIV/AIDS gjatë viteve të fundit, duke nxjerrë në pah sfida të reja në parandalim dhe diagnostikim. Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Shëndetit Publik, në periudhën 2010-2023, numri vjetor i rasteve të reja është më shumë se dyfishuar krahasuar me periudhën para vitit 2010, kur raportoheshin më pak se 50 raste në vit.

Gjatë vitit 2024, deri në fund të muajit tetor, janë raportuar 119 raste të reja, ndërsa numri total i të prekurve nga HIV/AIDS që nga viti 1993 ka arritur në 1,844.

Në një intervistë për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSh1, kryetarja e Shoqatës së Personave të Infektuar me HIV/AIDS, Olimbi Hoxha, ngriti alarmin për situatën, duke theksuar gjithashtu mungesën e masave kundër turizmit seksual, të cilin e konsideroi një faktor të rëndësishëm në përhapjen e infeksioneve seksualisht të transmetueshme në Shqipëri.  Ajo shtoi se 70% e rasteve të reja diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes, shpesh pasi shfaqin simptoma të rënda.

“Shifrat nga viti në vit janë në rritje. Për më pak testime po diagnostikojmë më shumë persona me Hiv/Aids, duke bashkuar këtu edhe sifilizin. Kjo nuk është vetëm një tendencë vetëm në Shqipëri por me Covid-in me ulje e bashkëfinancimeve dhe shërbimeve parandaluese kemi rritje të rasteve edh ne vende të tjera të cila e kanë e pasur epidemiologjinë nën kontroll. Në Shqipëri kemi një “bum” nga ana e turizmit seksual, që e kemi të pa kontrolluar, nuk kemi asnjë masë për ta parandaluar. Duhet të përmendim faktin se Shqipëria vazhdon të ketë trendi e diagnozës së vonë. Rastet që diagnostikohen janë raste që 70% shkojnë në klinik me simptoma të shtuara të HIV-it, dhe kjo do të thotë se ne në pjesën e parandalimit kemi ende problematika. Një gjë që duhet përmendur është mbështetja me financim të programeve të parandalimit”, u shpreh Hoxha.

Sipas saj, grupet më të prekura vazhdojnë të jenë burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, ku raporti mbetet 3 meshkuj të infektuar për çdo 1 femër.

 “Ne vazhdojmë të kemi shifra 3 me 1, që do të thotë për 3 meshkuj të infektuar kemi një femër të infektuar nga të dhënat epidemiologjike. Kjo do të thotë se tendenca tek marrëdhëniet homo dhe biseksuale, kjo për shkak se risku i transmetimit është dhe më i lartë. Një kambanë alarmi është dhe marrëdhënie e meshkujve me punonjëset e seksit. Nëse më parë personat e infektuar deklaronin statusin e tyre HIV pozitiv ose negativ tani kanë filluar të mos e deklarojnë”, tha ajo.

Kryetarja e Shoqatës së Personave të Infektuar me HIV/AIDS, tha se qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për llojin e testimit që kryejnë, duke theksuar se analizat rutinë të gjakut nuk janë të mjaftueshme për të zbuluar HIV-in.

 “Për tu diagnostikuar me HIV nuk mund të bazohesh tek një test i zakonshëm apo një kontroll rutinë gjaku, duhet patjetër që të jetë test specifik për HIV. Ata të cilët janë pjesë e grupeve të riskut duhet ta kenë kontroll rutinë çdo 3 muaj ndërsa për popullatën e përgjithshme dhe për brezin e ri është mirë që të paktën një herë në vit të testohen për HIV”, theksoi Hoxha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme